SHBA, thellohet skandali i armëve

16/06/2011 08:55

Qindra armë amerikane janë blerë, shitur dhe dërguar tek kartelet meksikane të drogës në një aferë të organizuar në Arizona, ndërkohë që agjentëve amerikanë u është thënë të mos ndërhynë.

Kështu është raportuar në seancën dëgjimore në Kongresin amerikan, ku tre agjentë deklaruan se u ishte urdhëruar të gjurmonin lëvizjen e armëve, por të mos bënin asnjë arrestim.

Disa kongresmenë amerikanë shprehën indinjatën e tyre pasi u njohën me detajet e operacionit, të koduar me emrin “Shpejtësi dhe Cmenduri”.

Lajmi vjen një ditë pasi një raport sugjeronte se kartelet meksikane të drogës janë pajisur me armë të rënda luftarake të prodhimit amerikan.

Raporti sugjeronte gjithashtu se 70 për qind e armëve të sekuestruara në skenat e krimit në Meksikë gjatë periudhës 2009-2010 vinin nga Shtetet e Bashkuara.

Top Channel