Siria fton refugjatët të kthehen në vend

15/06/2011 15:55

Siria u ka bërë thirrje banorëve të Xhisr al Shugurit që të kthehen në qytet, tre ditë pasi operacioni i forcave të sigurisë rivendosi kontrollin e qeverisë në qytet.

Autoritetet deklarojnë se situata në qytet është kthyer në normalitet, por trupat ushtarake janë ende në kërkim të militantëve që fshihen në kodrat rreth tij.

Në të njëjtën kohë, trupat dhe tanket raportohet se po mblidhen për një sulm tjetër në afërsi të qytetit Marat al Numan.

Ndërkohë, presidenti Bashar al Assad po përballet me kërcënimin më të rëndë ndaj familjes së tij që qeveris vendin prej 40 vjetësh.

Protestat, që fillimisht shpërthyen në jug të vendit, tani kanë përfshirë edhe veriun dhe rrezikojnë të përhapen në lindje, në kufi me Irakun.

Top Channel