Sirianët refugjatë në Turqi

12/06/2011 09:30

Mbi 4.000 vetë i janë larguar dhunës në Siri për të kërkuar strehim në Turqinë fqinje.

Këto janë shifrat që japin zyrtarët turq, por korrespondenti i BBC-së në kufi thotë se numri real i të zhvendosurve mund të jetë shumë më i lartë se kaq. Të larguarit janë kryesisht banorë të Jisr al Shughour, qytetit verior të kthyer në shënjestrën e masave energjike të qeverisë kundër rebelëve.

Dëshmitarë okularë flasin për një sulm me tanke mëngjesin e së premtes në një fshat pranë tij ku janë vrarë njerëz e janë shkatërruar të mbjella. Damasku pretendon se mësymja e Xhiser Al Shugurit synon vendosjen e rendit në qytet pas vrasjes së 120 policëve në fillim të javës.

Në mbarë Sirinë, protestat vazhdojnë duke marrë shpeshherë kthesë të dhunshme. Përplasjet e demonstruesve me forcat e sigurisë vetëm gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar të paktën 32 të vdekur. Ndërsa që nga fillimi i rebelimit kundër regjimit të Basher Al Asadit në muajin mars, bilanci i viktimave llogaritet në qindra.

Bashkësia ndërkombëtare po rrit sakaq presionin mbi udhëheqjen siriane për të ndalur dhunën kundër demonstruesve. Gjatë debateve në Këshillin e Sigurimit mbi Sirinë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, u shpreh i shqetësuar për situatën në vend dhe i cilësoi veprimet e forcave siriane të sigurisë si brutale dhe të papranueshme.

Por Damasku reagoi ashpër e i kërkoi OKB-së të mos ndërhyjë në punët e tij të brendshme.

Dhuna ndaj kritikëve të regjimit në Siri kritikohet ashpër edhe në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates, e përkufizoi atë çfarë po ndodh në vend si “masakër civilësh të pafajshëm”.

 

Top Channel