Rusi, vritet në mes të Moskës koloneli

10/06/2011 13:55

Një kolonel rus që ishte dënuar për vrasjen e një adoleshenteje cecene,
është qëlluar për vdekje në një atentat në qendër të Moskës.

Yuri Budanov u qëllua nga një person i armatosur, ende i paidentifikuar, në Komsomolosky Prospekt, një lagje e populluar e kryeqytetit.

Në vitin 2003, një gjykatë konfirmoi dënimin e tij 10-vjecar pasi ushtaraku kishte mbytur me duart e tij një vajzë 18-vjecare gjatë luftës së vitit 2000 në Ceceni.

Por ai u lirua më herët nga burgu, në janar të vitit 2009, lëvizje kjo që acaroi organizatat për të drejtat e njeriut.

Mediat ruse njoftojnë se personi i armatosur, i veshur me një xhup blu dhe me kapuc në kokë, sulmoi Budanov rreth orës 12:30 me orën lokale.

Ai e qëlloi kolonelin plot gjashtë herë me pistoletë dhe më pas u largua me një makinë. Automjeti, tip “Mitsubishi Lancer”, u gjet më vonë i braktisur dhe i djegur.

Gjyqi ndaj Budanov bëri një bujë të madhe në Rusi, ku shumë pak oficerë janë dënuar për abuzimet e kryera gjatë fushatës dyvjecare ruse kundër separatistëve cecenë.

Top Channel