Azi, operacion anti-krim, mbi 300 në pranga

10/06/2011 11:40

Qindra qytetarë kinezë e tajvanezë janë arrestuar në vende të ndryshme
të Azisë, në kuadër të një operacioni të policisë për të goditur një
rrjet kriminal që merrej me aplikimin e gjobave falso.

Policia deklaron se të dyshuarit kontaktonin njerëz të ndryshëm në Kinë dhe Tajvan dhe u zhvasnin atyre para, duke deklaruar se ishin ndëshkuar nga gjykata.

Rreth 170 të dyshuar u arrestuan në Indonezi dhe 166 të tjerë në Kamboxhia. Arrestime janë kryer edhe në Tajlandë, si dhe në qytetin malajzian Kota Kinabalu.

Drejtues të policisë malajziane kanë deklaruar se banda mashtronte viktimat, kryesisht qytetarë kinezë, duke i marrë në telefon përmes internetit për të treguar se ishin zyrtarë lokalë dhe jo të huaj.

“Ata prezantoheshin si oficerë gjyqësorë dhe kontaktonin viktimat duke deklaruar se një anëtar i familjes së tyre është gjobitur nga gjykata për fyerje”, ka deklaruar zyrtari.

Top Channel