Libia, aleatët: Do ta përfundojmë misionin

08/06/2011 21:40

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s janë angazhuar për të siguruar mjetet e duhura dhe fleksibilitetin operativ në mbështetje të operacioneve ushtarake në Libi.

Gjithashtu, ata kanë shprehur miratimin e tyre për kontributet shtesë për përpjekjet e vazhdueshme të aleatëve.

Në një deklaratë të miratuar sot në Bruksel, ministrat kanë rikonfirmuar gjithashtu vendosmërinë e tyre për të përfunduar me sukses misionin.

“Kemi intensifikuar përpjekjet tona edhe përmes vendosjes së helikopterëve ushtarakë dhe jemi të vendosur të vazhdojmë operacionet në mbrojtje të popullit libik”, thuhet në deklaratë.

Në fillim të mbledhjes, ministrat e Mbrojtjes miratuan gjithashtu edhe zgjatjen me 90 ditë të tjera të misionit të koduar “Unified Protector”.

Më herët, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen përjashtoi opsionin e një ndërhyrjeje tokësore, duke siguruar se misioni do të përfundojë si duhet.

Top Channel