Jemenasit: Jo kthimit të Saleh

07/06/2011 19:05

Dhjetra mijëra të rinj manifestues kanë zbritur pasditen e sotme në sheshin e Sanas, në Jemen, për të protestuar kundër kthimit në pushtet të presidentit Ali Abdullah Saleh.

Aktualisht Saleh ndodhet i shtruar në një spital të Riadit, në Arabinë Saudite, pasi mbeti i plagosur ditën e premte nga një sulm me artiljeri të rëndë ndaj rezidencës presidenciale.

Manifestuesit, të cilët kërkojnë ngritjen e një këshilli presidencial tranzitor, janë mbledhur përpara rezidencës së zëvendëspresidentit Abed Rabbo Mansour Hadi, duke bërtitur: “Jo kthimit të Saleh”.

Ndërkohë, ushtarët jemenas kanë njoftuar se kanë vrarë sot në një luftim të ashpër 30 militantë të Al Kaedës dhe ekstremistë të tjerë islamikë, që disa ditë më parë kishin marrë nën kontroll qytetin e Zinxhibarit.

Mes të vrarëve është edhe lideri lokal i Al Kaedës në Marib, Hassan Aguili, prej kohësh i kërkuar nga autoritetet, të cilat kanë saktësuar se luftimi zgjati 3 orë dhe se mes viktimave ka edhe ushtarë.

Top Channel