Portugali, kreu i socialistëve jep dorëheqjen

06/06/2011 12:00

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duket se do të sjellin ndërrim pushteti në Portugalinë e kërcënuar nga borxhet.

Socialistët pranuan humbjen, ndërsa lideri i tyre Jose Socrates ka marrë mbi vete përgjegjësinë e disfatës, duke njoftuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë.

“Kjo humbje është e imja dhe marr përgjegjësi të plotë për të. Mendoj se është koha të çelim një epoke të re të lidershipit politik në partinë tonë, i cili t’i shërbejë objektivit të saj kryesor, që është përgatitja e një alternative të vetëdijshme, të besueshme dhe të mobilizuar për të qenë e aftë të qeverisë Portugalinë”, tha Jose Socrates, kryeministër në detyrë.

Triumfues, social-demokratët e qendrës së djathtë të udhëhequr nga Pedro Passos Coelho, pritet të formojnë mazhorancën në parlament me Partinë Popullore.

Sipas exit polleve, social-demokratët kanë marrë diçka ndërmjet 37 dhe 42.5% të votave dhe socialistët 24,4 deri në 30%.

Qeverisë së re do t’i duhet të fillojë menjëherë nga puna për implementimin e programit të shkurtimeve, një kusht i vendosur nga BE-ja në këmbim të paketës së ndihmës.

Coelho është i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që vijnë me këtë fitore.

“Kjo është nata kur Portugalia kremton ndryshimin. E dimë që ka shumë punë për të bërë, por puna nuk na tremb”, shprehet Pedro Passos Coelho, lider i social-demokratëve.

Coelho premtoi që si kryeministër i ri, ta vërë në zbatim kursin e rreptë të kursimit dhe shtoi se do të bëjë gjithçka për të fituar besimin e tregjeve ndërkombëtare.

Lideri socialist, Hose Socrates dha dorëheqjen nga detyra e kryeministrit gjatë muajit mars duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi opozita në parlament refuzoi të miratonte paketën e masave, që përfshinte shkurtime të mëtejshme në shpenzimet qeveritare.

Top Channel