Izraeli proteston ndaj Sirisë

06/06/2011 12:45

Një ditë pasi trupat izraelite hapën zjarr mbi protestuesit
pro-palestinezë në lartësitë Golan, mediat në izrael raportojnë se
ministri i Jashtëm i vendit Avigdor Liberman po planifikon të paraqesë
një ankesë kundër Sirisë në OKB, me pretendimin se përdori demonstruesit
për të sfiduar sovranitetin e Izraelit.

Nga përleshjet në kufi, sipas telelvizionit shtetëror sirian, mbetën të vrarë rreth 20 vetë, përfshirë një grua dhe një të ri adoleshent, ndërsa më shumë se 325 të tjerë u plagosën.

Qindra protestues të mbërritur me autobusë tentuan të kapërcejnë telat me gjemba në zonën kufitare mes Sirisë dhe lartësive Golan të pushtuara nga Izraeli, duke shfrytëzuar pikërisht përvjetorin e 44 të luftës 6 ditore të vitit 1967.

Burime spitalore në Siri konfirmuan numrin e të vdekurve dhe ofruan listën e emrave.

Në mbrëmje turma ishte zmadhuar duke mbërritur në 1 mijë vetë, të cilët luteshin dhe hidhnin parulla në një atmosferë të tensionuar mes protestueve dhe ushtarëve izraelitë që ndiqnin situatën nga larg.

Izraeli ia mori Sirisë lartësitë Golan pas luftës së shkurtër të 1967-tës, konflikt gjatë të cilit, duke shfrytëzuar armatimin amerikan, ai pushtoi edhe Bregun Perëndimor, Jeruzalemin lindor dhe Rripin e Gazës, duke ndryshuar kështu hartën e vet gjeografike dhe atë të gjithë rajonit.

Top Channel