Gjermania mbyll ambasadën në Jemen

04/06/2011 12:00

Gjermania ka vendosur të mbyllë ambasadën në kryeqytetin e Jemenit për shkak të akteve të dhunës që kanë përfshirë vendin.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Jashtme gjermane, e cila ka saktësuar se personeli diplomatik do të lërë sa më shpejt vendin.

“Edhe pse luftimet në Sana nuk prekin në mënyrë direkte të huajt, rreziku që vjen nga kjo situatë ka cuar qeverinë në marrjen e këtij vendimi”, thuhet në një komunikatë.

Disa ditë më parë edhe Shtetet e Bashkuara nisën tërheqjen e personelit jothelbësor të ambasadës amerikane në kryeqytetin jemenas.

Situata në vend u përshkallëzua ditën e djeshme, kur luftëtarët tribalë sulmuan kompleksin presidencial të Jemenit, ku mbeti i plagosur presidenti Saleh.

Top Channel