Liban, atentat kundër misionit të OKB-së

27/05/2011 19:20

Një bombë ka goditur një autokolonë të OKB-së në qytetin e Sidonit, në Liban, duke lënduar gjashtë paqeruajtës italianë.

Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës ushtarak, Massimo Fogari, i cili ka deklaruar se dy prej ushtarëve janë në gjendje të rëndë.

Një zëdhënës i misionit të OKB-së në Liban, UNIFIL, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” se bomba kishte si objektiv njësinë logjistike.

UNIFIL ka për detyrë të ruajë paqen në zonën kufitare mes Libanit dhe Izraelit. Më herët, lajme të ndryshme flisnin për vdekjen e një ushtari.

Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini ka vlerësuar veprimtarinë e misionit, duke u shprehur se, “ka dhënë një kontribut vendimtar në stabilitetin e një prej zonave më të ndjeshme të Lindjes së Mesme”.

Ndërsa kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati ka dënuar shpërthimin dhe ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e OKB-së, Michael Williams.

Top Channel