Meksikë, masakër në shtetin e Najarit

26/05/2011 16:45

28 persona kanë mbetur të vrarë në Meksikë, në një shkëmbim të dhunshëm zjarri mes dy grupeve rivale të trafikut të drogës.

Përleshja e armatosur ka ndodhur në një kryqëzim në afërsi të qytetit të Ruizit, në shtetin e Najarit, rreth 800 kilometra në veri-perëndim të Qytetit të Meksikos.

Policia gjeti 28 persona të vdekur dhe katër të plagosur kur mbërriti në vendin e ngjarjes, që ishte i mbushur më gëzhoja plumbash.

Shteti më problematik përsa i përket luftës mes bandave të drogës konsiderohet Mikoacani, ku aktet e dhunës kanë detyruar mbi 1 mijë banorë të braktisin fshatrat e tyre.

Mbi 34 mijë persona janë vrarë në Meksikë që kur presidenti Felipe Calderon nisi një ofensivë kundër karteleve të drogës në dhjetor të vitit 2006.

Shteti i Najarit ka një prani të theksuar të një prej karteleve më të fuqishme të Meksikës, Sinaloa, që drejtohet nga personi më i kërkuar në vend, Joaquin Guzman.

Top Channel