Iran-Spanjë, bllokohet trafiku luftarak

26/05/2011 17:15

Policia spanjolle ka parandaluar shitjen e nëntë helikopterëve ushtarakë Iranit, duke arrestuar tetë persona që do të organizonin shkëmbimin.

Operacioni, që u krye në Madrid dhe Barcelonë, coi në arrestimin e pesë biznesmenëve spanjollë dhe tre shtetasve iranianë, që po negocionin aferën.

Autoritetet lokale kanë deklaruar se përvec helikopterëve të tipit “Bell-212”, policia gjeti edhe pjesë motorike që do të eksportoheshin ilegalisht në Venezuelë.

Sanksionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara i ndalojnë Iranit të blejë helikopterë luftarakë nga vendet e tjera.

Sipas policisë, biznesmenët spanjollë akuzohen se po përpiqeshin t’i eksportonin helikopterët e prodhimit amerikan, ndërsa tre iranianët për negocim të aferës.

Në kuadër të operacionit, policia bastisi disa ndërmarrje industriale në Madrid dhe Barcelonë, ku dhe u gjetën helikopterët.

Autoritetet spanjolle kanë deklaruar se vlera e nëntë mjeteve fluturuese arrin në rreth 100 milionë euro.

Top Channel