Izraeli: Gati për lëshime të dhimbshme

25/05/2011 09:40

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, duke folur në Kongresin amerikan u shpreh i gatshëm për lëshime të dhimbshme për të arritur paqen historike me palestinezët, madje dhe territoriale që ata kërkojnë për të krijuar shtetin e tyre.

Duke folur në Kongresin amerikan, një bastion përkrahjeje për Izraelin siç e cilësoi Reuters, kryeministri izraelit përsëriti kushtet për paqe. Ato përfshijnë njohjen e Izraelit nga palestinezët si tokën e hebraikëve dhe anullimin e marrëveshjes mes Presidentit palestinez Mahmud Abaz dhe levizjes islamike Hamas.

“Jam i gatshëm të bëj kompromise të dhimbshme për të arritur këtë paqe historike. Si lider i Izraelit është përgjegjësia ime të udhëheq njerëzit drejt paqes. Tani kjo nuk është e lehtë për mua, nuk është e lehtë sepse unë e pranoj që një paqe e vërtetë do të kërkojë të japim pjesë nga mëmëdheu ynë i lashtë”, u shpreh Netanjahu.

Megjithëse Netanjahu la të kuptohet gjatë fjalimit në Kongres se do të dorëzojë disa vendbanime në Bregun Perendimor, ai tha se të tjerat do të aneksohen në ndonjë marrëveshje të ardhshme për paqen.

“Ky kompromis do të reflektojë ndryshimet demografike dramatike që kanë ndodhur prej 1967 duke iu referuar ndërtimeve të qindra vendbanimeve, në tokën që palestinezët kërkojnë për shtetin e tyre”, shtoi kryeministri i Izraelit.

Duke përsëritur mesazhin që ai po jep gjatë vizitës pesë ditore në Uashington, Netanjahu u shpreh: “Izraeli nuk do të kthehet në kufijtë e 1967, vijat e ngushta që ekzistonin përpara se të pushtohej Bregu PerËndimor, 44 vjet më parë.”

Kryeministri izraelit nënvizoi edhe njëherë kërkesën për një shtet palestinez të çmilitarizuar i cili të pranojë një prani ushtarake afatgjatë përgjatë kufirit lindor në lumin Jordan.  

Një zyrtar palestinez tha se kryeministri izraelit i nxorri më shumë pengesa marrëveshjes për paqe. Ishte deklarata e presidentit amerikan, Barak Obama, që revoltoi qeverinë izraelite duke kërkuar përcaktimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, në kufijtë përpara luftës së 1967.

Të dielën, më 22 Maj, Obama zbuti revoltën duke thënë se Izraeli mund të negociojë duke mbajtur disa vendbanime, si pjesë e territorit të shkëmbyer në ndonjë marrëveshje përfundimtare për paqen me palestinezët.

Top Channel