Ukrainë, arrestohet Timoshenko?

24/05/2011 12:35

Ish-kryeministrja ukrainase, Iulia Timoshenko është arrestuar, kanë bërë
të ditur burime nga partia e saj, të cituar nga agjencia e lajmeve
“Itartass”.

Por Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës ka përgënjeshtruar lajmin duke saktësuar se bëhet fjalë vetëm për një marrje në pyetje, të organizuar pasi liderja e opozitës nuk ishte paraqitur në thirrjet e mëparshme.

Numri dy i akuzës ukrainase, Renat Kuzmin ka deklaruar se Timoshenko do të kthehet në shtëpi menjëherë pas marrjes në pyetje.

Më herët, Oleg Pushkar, një drejtues i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme, kishte kujtuar se një gjykatë rajonale i kishte lejuar akuzës ndalimin e Timoshenko dhe shoqërimin e saj në prokurori për marrje në pyetje.

Ndërsa partia e ish-kryeministres, në faqen e saj të internetit, deklaronte se “Iulia” ishte arrestuar.

Top Channel