Iran, shpërthim në impiantin e ri të naftës

24/05/2011 08:50

Një person është vrarë dhe të paktën 20 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim në një rafineri nafte të Iranit, gjatë vizitës së presidentit Mahmud Ahmadinejad.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat iraniane, sipas të cilave Ahmadinejad nuk u prek nga shpërthimi dhe vijoi me një deklaratë televizive për të shënuar hapjen e rafinerisë, në qytetin e Abadanit.

Sipas agjencisë së lajmeve “FARS”, shpërthimi u shkaktua nga një problem teknik, që më pas solli edhe zjarrin.

Nga rafineria u ngrit një tym i dendur, por zjarri u vu nën kontroll. Një agjenci tjetër thotë se shpërthimi u shkaktua nga një rrjedhje gazi.

Rafineria po lancohet në dy faza dhe së fundmi ajo do të prodhojë mbi 6 milionë litra naftë në ditë, shumica e të cilës për konsum të brendshëm.

Top Channel