Obama, dolli për prejardhjen irlandeze

23/05/2011 19:10

Presidenti amerikan Barack Obama ka vizituar fshatin Manigoll, në Republikën e Irlandës, në kuadër të turit të tij të gjatë në Evropë.

Fshati i vogël në Kontenë e Ofelisë ka qenë shtëpia e një prej parardhësve të tij, që emigroi në Amerikë në vitin 1850.

Banorët përshëndetën presidentin Obama dhe bashkëshorten e tij Michelle, me brohoritje dhe parulla të tipit “Mirëseerdhët në Shtëpi”.

Pas qëndrimit të shkurtër në Manigoll, Obama është kthyer në Dublin për të mbajtur një fjalim në ambjent të hapur, para mijëra qytetarëve që e prisnin me gëzim.

“Përshëndetje Dublin! Përshëndetje Irlandë! Unë quhem Barack Obama nga familja Obama e fshatit Manigoll dhe kam ardhur për të gjetur apostrofën që ne humbëm diku gjatë rrugës”, tha presidenti amerikan.

Gjatë qëndrimit në fshatin e vogël me rreth 300 banorë, zoti Obama është takuar me vendasit, si dhe është ndalur në një pab, ku ka pirë një birrë dhe ka ngritur dolli për prejardhjen e tij irlandeze, që i përket stër-stër-stërgjyshit të tij.

Top Channel