Kukan: Po rrezikohet fati i shqiptarëve

20/05/2011 16:05

Zhgënjimin për situatën e krijuar në Shqipëri që pas zgjedhjeve të 2009-s, e shprehu në Prishtinë, kryetari i delegacionit të PE-së, Eduard Kukan. (UPDATE)

I pyetur nga TCH se cili është komenti i tij mbi ngjarjet e këtyre ditëve, sllovaku Kukan u përgjigj se situata është për të ardhur keq sepse shqiptarët meritojnë më shumë.

“Kam shkuar vetë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet para dy javësh. Dhe ishim të kënaqur me ecurinë e proçesit. Proçes i cili nuk ishte edhe aq dramatik sa ç’ishte parashikuar të ishte. Por, proçesi i votimit ishte vetëm një pjesë e këtij proçesi”, tha Kukan.

“Proçesi tjetër është numërimi i votave dhe pranimi i rezultateve. Situata që është tani për fat të keq është mjaft e pakëndshme. Që nga zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2009 vendi po përballet me një krizë politike dhe kjo dhe është arsyeja se përse Shqipëria nuk mori statusin e vendit kandidat në raportin e hartuar nga komisioni kur e mori Mali i Zi. Pra mund të shpreh vetëm keqardhje për një situatë të tillë. Sepse populli shqiptar meriton shumë të tepër se kaq dhe shumë më mirë se kaq”, shtoi Kukan.

Ai shtoi se protestat dhe përleshjet e protestuesve me policinë janë imazhe të shëmtuara dhe se politikanët e të dyja palëve duhet të ulen dhe të gjejnë kompromisin.

“Baronesha Eshton ka lëshuar një deklaratë ku i bën thirrje politikanëve të dyja palëve të jenë të përgjegjshëm. Ne si Parlament Evropian mund t’ju bëjmë thirrje mund t’ju shtyjmë, mund t’ju nxisim apo t’ju lusim që të gjeni rrugën, por në fund të fundit u takon politikanëve ta gjejnë kompromisin. Flas me kaq pasion sepse kam qenë shumë i përfshirë në zhvillimet politike në Shqipëri dhe i kam ndjekur nga afër. Më vjen shumë keq vërtet sepse zgjedhjet lokale ishin rasti i vetëm apo më i miri i Shqipërisë për të treguar që politikanët shqiptarë janë të pjekur dhe kur shikon policinë duke u përleshur me protestuesit realisht të vjen keq. Mund të më citoni se unë ndihem mjaft i zhgënjyer”, është shprehur Kukan.

Delegacioni i PE-së ndodhej në Prishtinë për dy ditë, ku zhvilloi takime me udhëheqësit kosovarë.

Europarlamentarët kërkuan plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave dhe shprehen përkrahjen e tyre për Kosovën Evropiane.

Top Channel