Kolegji rrëzon sërish KQZ-në

18/04/2011 20:15

Kolegji Zgjedhor i dha të drejtë Partisë Socialiste në dy kërkesat ankimore të radhës që lidheshin me fletën e votimit.

Fillimisht trupa e gjyqtarëve mori në shqyrtim fletën e votimit për këshillat bashkiake, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin e tij e kishte vënë koalicionin e demokratëve Aleanca për Qytetarin përpara koalicionit të socialistëve Aleanca për të Ardhmen.

Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, Kolegji i dha të drejtë argumentave të Partisë Socialiste, sipas të cilave drejtshkrimi i gjuhës shqipe nuk i mban parasysh nyjat shquese apo parafjalët në renditjen alfabetike të emrave.

Ndaj në fletën e votimit, Aleanca për të Ardhmen, meqë fjala e ardhme fillom me ‘a’, do të vendoset përpara Aleancës për Qytetarin, që fillon me ‘q’.

Në cështjen e dytë, atë të fletës për kryetar të bashkisë së Tiranës, Partia Socialiste kërkoi që poshtë emrit të koalicionit të vendosen edhe gërmat nistore të partive të koalicionit të majtë.

KQZ argumentoi se gërmat nistore të partive të koalicionit të djathtë janë vënë sepse vetë koalicioni është regjistruar si i tillë në KQZ.

Kolegji megjithatë i dha të drejtë Partisë Socialiste, duke i kërkuar KQZ-së të miratojë fletën e votimit duke shënuar edhe gërmat nistore të partive të majta.

Këto dy vendime të Kolegjit në lidhje me përmbajtjen e fletës së votimit, i bashkohen vendimit të ditës së shtunë për përmasat teknike të fletës.

Ndryshimi i këtyre tre vendimeve e vë KQZ-në përballë afateve shumë të ngushta kohore për prodhimin në kohë të fletëve të votimit.

Komisioni, që u mblodh të hënën në mbrëmje, mori edhe njëherë në shqyrtim tërë problematikën e fletëve, pas vendimeve të Kolegjit.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta