Një ditë pas arrestimit, babai i dy vajzave minorene që denoncuan në polici se u shfrytëzuan për prostitucion në moshën 8 dhe 10-vjeçare, nuk e ka pranuar akuzën që rëndon ndaj tij.
Sipas “Shqip”, gjatë marrjes në pyetje, Pëllumb Mullai ka thënë për policinë se, akuzat janë mashtrime dhe sajesa të të bijave.
Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe dy personat e tjerë të arrestuar për pedofili. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se asnjë prej të arrestuarve për shfrytëzimin seksual të dy motrave minorene nuk i ka pranuar akuzat, duke thënë se janë të pafajshëm.
Një ditë më parë, nëna e vajzave ka treguar se ka pasur dijeni vetëm për faktin se në vitin 2004, një muaj pasi vajzat frekuentonin me vizita të shpeshta 79-vjeçarin Nevrus Kollani, njëra prej tyre ju ka rrëfyer prindërve se i moshuari e prekte në pjesët intime të trupit.
Nga ana e saj, nëna e dy vajzave ka mohuar që bashkëshorti t’i ketë detyruar vajzat të prostituojnë, duke mohuar gjithashtu edhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale.
Burime të policisë së Korçës u shprehën se babai 52-vjeçar nuk e ka pranuar akuzën, por vetëm ka pohuar se ka qenë në dijeni të ngacmimeve seksuale ndaj vajzave kur ato shkonin në shtëpinë e 79-vjeçarit korçar.
Por sipas policisë së Korçës, ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë akuzat që rëndojnë jo vetëm ndaj 52-vjeçarit, por edhe ndaj tre klientëve, për faktin se ata janë mbajtur nën hetim për një periudhë tremujore.
Nga ana e saj, policia e Korçës ka theksuar se ka të dokumentuara provat që vërtetojnë se 52-vjeçari Pëllumb Mullai ka shfrytëzuar për qëllime fitimi me anë të prostitucionit dy vajzat e tij të mitura gjatë periudhës kohore 2004-2006.
Vajzat që kanë bërë denoncimin kishin kohë që nuk jetonin me familjen. Ato ishin pjesë e një klinike private ku trajtoheshin me ushqim dhe veshje dhe nuk jetonin me prindërit e tyre, të cilët nuk kishin mundësi financiare për t’u kujdesur për to.
Të dyja motrat kanë jetuar në mjediset e një fondacioni bamirësie në qytetin e Korçës.
Pesë vjet pas ngjarjes ato kanë vendosur ta denoncojnë të atin, por edhe klientët, që sipas policisë vazhdonin t’i frekuentonin.
Ndërkaq, nëna e vajzave ende nuk është vënë nën hetim, ndonëse dyshohet se ka pasur dijeni për veprimet që kryheshin me to.
Burime të policisë së Korçës thanë se kanë pasur prej kohësh sinjalizime se babai i dy vajzave i shfrytëzonte ato duke i vënë në “shërbim” të personave të njohur, të cilëve u merrte lekë në këmbim të “shërbimit” që merrnin nga vajzat.
Mbi bazën e këtyre sinjalizimeve, policia është vënë në ndjekje të dy vajzave, edhe pse ato prej pak vitesh ishin shkëputur nga familja dhe jetonin në një qendër sociale të një fondacioni bamirësie.
Sipas policisë, vajzat vazhdonin kontaktet me personat që tashmë akuzohen për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me to, sidomos të moshuarin 79-vjeçar nga qyteti i Korçës.
Duke u nisur nga këto kontakte, policia ka vënë në përdorim edhe teknikat speciale dhe për tre muaj hetime ka përgatitur operacionin për arrestimin e babait të dy vajzave si dhe dy banorëve të fshatit Mborje dhe të moshuarit 79-vjeçar Nevrus Kollani, nga qyteti i Korçës.
Tre të arrestuarit pritet të dalin për vlerësimin e masës së sigurisë sot dhe nuk dihet nëse do të deklarojnë pafajësinë për akuzat, ashtu siç kanë bërë edhe pranë policisë.
Top Channel