Top Story – Shqipëria Vendos 2011, beteja për Himarën

12/04/2011 22:30

Në puntatën e parë të Top Story – Shqipëria Vendos 2011, të ftuar ishin katër kandidatët për kryetarë në Bashkinë e Himarës.

Kryetari aktual, dhe kandidati i PBDNJ-së për këtë bashki, Vasil Bollano hodhi poshtë akuzat për keqmanaxhim të fondeve publike dhe për tejfryrje të panevojshme të administratës së bashkisë.

“Nuk kanë qenë 38 punonjës, por 69 punonjës kur kemi marrë bashkinë. Manaxhimi i fondeve: granti i pakushtëzuar është 33 milion lekë të reja, që nuk lejon ligji t’i cosh tek pagat. Për këtë nuk mund të shpenzohen më shumë se 40 përqind të grantit të pakushtëzuar, Bashkia Himarë ka përdorur 27 përqind, të tjerat sigurohen nga të ardhurat e vetë bashkisë. Sot kemi shtrirë pastrimin në të gjithë bashkinë. Janë ndërtuar 220 metra rrugë në qendër, qendra e dytë e qytetit, kendi sportiv dhe programi studim, projekim, zhvillim”, tha Bollano.

Më tej Bollano foli edhe për problemin e pronave. I akuzuar nga kundërshtarët e tij se nuk po bën sa duhet për këtë problem, ai tha se kjo nuk varet nga pushteti vendor, por nga ai qendror.

“Në asnjë rast tagrin ligjor nuk e ka njësia vendore për zgjidhjen e pronave, por pushteti qendror. Nuk e kuptoj si do e zgjidhin”, tha Bollano.

Kandidati që rrjedh nga partia tjetër e minoritetit grek, Mega, Dhimitar Llazari këmbënguli për zgjidhjen e problemit të pronave duke bashkëpunuar me pushtetin qendror e me organet përkatëse.

“Qendroj në problemin që ka Himara, kthimi dhe ligjërimi i pronave. Do punoj me arkivën e shtetit e Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Premtoj që ka një zgjidhje komunitare me kryesitë e cdo qendre banimi, që me jep mua të drejtën nga Bashkia e Himarës drejt qeverisë, për kthimin e pronës. Për turizmin Bollano nuk ka bërë asgjë. Rruga 220 metra është e bukur por jo në kohën dhe vendin e duhur, dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në atë rrugë nxorri abuzime të mëdha. Himariotët e dinë që bashkia është bunker për qytetarin. Do t’u kthej bashkinë qytetarëve dhe jo qytetari të bashkia”, tha zoti Llazari.

Ndërsa kandidati i Partisë Socialiste, Jorgo Goro vuri theksin tek furnizimi me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e Humarës. Sipas tij, ekzistojnë projektet por nuk janë tërhequr, duke lënë ujin e pijshëm të derdhet në det.

Kandidati i Partisë Demokratike, Savo Prifti, vuri theksin tek mungesa e infrastrukturës, e cila sipas tij lë për të dëshiruar në të gjithë zonën e Himarës.

Top Channel