Rama: Vizioni im për Tiranën

12/04/2011 18:55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke folur nga qëndra “Kristal”, në njësinë bashkiake numër tetë, pasqyroi në mënyrë të detajuar atë që e ai e konsideroi si “vizioni i tij për Tiranën”.

Rama krahasoi modelin e tij të zhvillimit me atë të pushtetit në fuqi, ndërsa premtoi se në mandatin e ardhshëm do të jetë në gjendje të rrisë ndjeshëm vlerën e banesave, të bizneseve dhe cilësinë e jetës së kryeqytetasve.

“Zhvillimi ynë është një zhvillim me koncept urbanistik, social, ekonomik dhe që rrit cilësinë e jetës dhe vlerën materiale të qytetit. Kjo do të vlejë për periferinë dhe qëndrën, për të gjithë Tiranën”, deklaroi Rama.

“Shembulli mund të merret shumë mirë nga shëtitorja dhe parku një kilometër i gjatë i ndërtuar në Fushën e Aviacionit. Po ju sjell fjalët e një banoreje, e cila më falenderoi për dy gjëra. Ajo më tha se ishte shumë mirënjohëse që kishim transformuar ambientet pranë apartamentit të saj nga balta në një gjelbërim relaksues, por edhe sepse brenda pak muajsh, vlera e shtëpisë së saj në treg ishte dyfishuar. Shumë shpejt, edhe sheshi ‘Skëndërbej’ do t’i japë një vlerë të re qytetit, duke u shndërruar në një prej qëndrave më spektakolare të të gjithë Ballkanit. Tek ky shesh do të shihet projekti ynë i integruar për zhvillimin urban, ekonomik dhe social. Vizioni ynë është për një qytet që ofron larmi mundësish për të gjitha moshat, për të gjithë banorët, një fuqi magnetike dhe tërheqëse për një të ardhme që do të krijojë shumë më tepër investime, që do të sjellë një cikël të ri zhvillimi”, theksoi Rama.

Duke kaluar tek modeli i quajtur prej kryebashkiakut si “modeli i Berishës”, Rama shtoi:

“Shikoni se si ullishtet e Selitës që po kthehen në kodra pallatesh, të cilat sot tërheqin blerës, por vlera e investimit u vihet në dyshim pasi nuk është një zhvillim i konceptuar urbanistik apo social. Ky është zhvillim tipik i një vizioni dhe metodës së Saliut, i atypëratyshëm, fitim i menjëhershëm, por me pasoja që vijnë njëra pas tjetrës dhe dëmtojnë cilësinë e jetës. Shikoni zhvillimet në unazën e re, ku në njërën anë është Tirana dhe në tjetrën një territori me vizion tërësisht të cunguar. Kashari, nga një potencial i madh për një zhvillim urbanistik, që do të korrigjonte të metat e mëparshme të Tiranës, po kthehet në një geto të mirëfilltë të kryeqytetit, pa kopshte, pa shkolla, pa ambulancë. Ky është një zhvillim kaotik, që kërcënon hapur të nesërmen e atyre që investojnë në atë zhvillim dhe kthehen në të vetburgosur lagjesh që janë seriozisht të rrezikuara nga pamundësia për t’u çliruar nesër”.

Rama vazhdoi akuzën ndaj modelit qeveritar, duke vazhduar kritikat mbi “vizionin e munguar”:

“Shikoni se çfarë ka ndodhur në vijën bregdetare, nga Plepat e deri në Kavajë. Një qytet i ri pallatesh është ndërtuar, një kompeks që nuk ofron asnjë mundësi për një zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen dhe që ka shkatërruar tërësisht potencialin që ofronte kjo vijë bregdetare turistike. Vizioni ynë dhe vizioni i Berishës ndahet tek lumi i Lanës. Modeli i tij është i prerjes së pemëve, ndërtimeve kaotike. Modeli i tij është gjej shesh e ndërto, pri shirita e shkatërro. Ndërsa sot, hapësira e Lanës është vendosur në funksion të cilësisë së jetës. Pyesni banorët që kanë shtëpi dhe dyqane në dy anët e lumit, se sa vlenin ato më parë dhe sa vlejnë tani. Pyesni edhe qytetarët e Tiranës, se sa vlente territori i qytetit me kioskat e ndyra në mesin e tij dhe se sa vlen sot”, theksoi Rama.

Sipas tij, modeli i Berishës ka lënë pas jo vetëm Tiranën, por të gjithë Shqipërinë.

“Autostrada Tiranës-Durrës është një shëmbëlltyrë e këtij zhvillimi të mbrapshtë që koncepton Saliu. Me qindra ndërtime pa vizion, të cilat nuk sjellin asnjë zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen. Kjo duhet të ishte zona që do të dyfishonte GDP-në e Shqipërisë, por në fakt është shndërruar në një territor ku secili punon për vete dhe Zoti për të gjithë. Për më tepër, është shkatërruar çdo mundësi për të shndërruar këtë territor të gjerë në një tokë konkurruese bujqësore. Ndërtimet pa kriter kanë zënë shumë më tepër territor nga sa do të zinin nëse zhvillimi do të planifikohej. Ky pra është ndryshimi, midis një modeli zhvillimi të integruar dhe të menduar në kohë, me atë të prerjes së shiritave për efekt elektoral, që që të nesërmen e inagurimit, nis të shfaqë problemet e investimit”, tha Rama.

Top Channel