Incident në mitingun e Ramës

12/04/2011 20:35

Ka nisur me një incident të rëndë takimi elektoral i radhës i kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama me banorë të minibashkisë numër 5 në kryeqytet. (UPDATE)

Një i ri 18 vjeç, simpatizant i Partisë Socialiste ka mbetur i plagosur me thikë, gjatë një konflikti banal me simpatizantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Sigurisht besojmë dhe jemi të mendimit se ata që kanë sulmuar janë vertetë ata që përfaqësojnë aleancën PD-LSI. Kjo është diçka që duhet ndaluar”, është shprehur deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni.

Në momentin kur militantë të PS-së po i drejtoheshin kinema “Imperial” ku pritej të shpalosej projekti i Bashkisë së Tiranës për mandatin e ardhshëm, kanë shkëmbyer batuta me militantë të LSI-së, pranë një zyre elektorale të kësaj të fundit e cila ndodhej vetëm pak metra larg qendrës ku do të zhvillohej takimi.

Pak minuta më vonë në momentin kur njerëzit po futeshin brenda në sallë disa të rinj janë konfliktuar duke u qëlluar me njeri-tjetrin.

Nga ky konflikt ka mbetur i plagosur me thikë një 18 vjeçar i cili po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa autori i plagosjes është larguar.

Forcat e rendit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të hetuar në lidhje me këtë incident.

Ndërkohë pas incidentit me simpatizantët e PS-së ka reaguar LSI-ja e cila distancohet nga çdo lloj incidenti.

Nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili deklaroi se LSI-ja nuk ka lidhje me këto incidente.

Në reagimin për mediat, ai ftoi nxitësit e provokimeve të heqin dorë.

Sipas Vasilit, LSI-ja do të vazhdojë fushatën e saj me programe dhe ide konkrete.

Top Channel