
Partia Demokratike hapi fushatën elektorale në qytetin e Durrësit ku u prezantua nën logon e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, kandidati, Ferdinand Xhaferraj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbajti fjalën e hapjes ku prezantoi dhe shprehu mbështetjen për kandidatin e kësaj partie dhe të “Aleancës për Qytetarin”, Ferdinand Xhaferraj i cili, sipas kryeministrit, do të ndërtojë Durrësin e shekullit të XXI.
Më tej Berisha foli për arritjet dhe investimet e kryera në rrethin e Durrësit.
“Kemi bërë cdo gjë për t’i dhënë Durrësit infrastrukturën e një qyteti modern. Kemi investuar 60 milion dollarë e do të investojmë akoma më shumë”, tha Berisha.
Nën sloganin e koaliconit, “Ju jeni të parët’”, Berisha ritheksoi prioritetet e “Aleancës për Qytetarin”.
“Për ne ju jeni të parët, shëndeti juaj, punësimi juaj, zhvillimi juaj, janë dhe do të mbeten parësore”, deklaroi kryeministri.
Lideri demokrat pasi përmendi arritjet e mazhorancës, premtoi zhvillimin e qytetit të Durrësit për ta shndërruar në një qendër të turizmit mesdhetar e qendër industriale.
Pas kryeministrit Berisha, fjalën e mori kandidati për kryetar bashkie në këtë qytet, Ferdinand Xhaferraj, i cili akuzoi rivalin e tij dhe kryetarin aktual Vangjush Dako për keqmanaxhim të parave të qytetarëve.
“Do ta kishim më të vështirë përballë Dakos nëse do të shpenzonte më mirë paratë e qytetarëve”, tha Xhaferraj duke premtuar më pas ndërtimin e portit të peshkimit si dhe investime në zonat periferike të qytetit.
Top Channel