Amnistia, biznesi kundër

01/04/2011 17:10

Edhe pse e ka kërkuar prej vitesh me ngulm, biznesi e kundërshtoi draftin për amnistinë fiskale në formën që e ka paraqitur qeveria dhe kërkon ndryshime në shumë nene të tij. Fillimisht sipërmarrësit ankohen se ligji nuk u jep garanci.

“Nëse ky ligj në nenin 22 parashikon që deklarimet vullnetare pranohen, por nëse në një kohë të pastajshme, do të bëhet një kontroll nga inspektorët e tatimeve, deklarimi vullnetar bie dhe këto subjekete nuk mund të jenë subjekte të ligjit të faljes fiskale. Pra sipërmarrja shqiptare kërkon garanci”, tha Nikolin Jakaj, kryetar i Dhomës së Tregtisë.

“Ligji në nenin 13 parashikon shumë qartë garancitë e subjekteve në këtë proçes, madje ka një element shumë të rëndësishëm nëse lexohet me kujdes ligji dhe është interpretimi në favor të subjekteve që legalizojnë për çdo lloj paqartësie në zbatimin e kësaj iniciative”, theksoi Alfred Rrushaj, zëvendësministër i Financave.

Një tjetër pikë e nxehtë është ajo e tarifave, që qeveria premtoi se do të ishin minimale, por për biznesin në ligj rezulton ndryshe, sidomos tarifa mbi pasuritë e paluajtshme të padeklaruara.

“Nëse do kemi një shifër 6%, ne si iniciatorë të këtij ligji, por edhe ekspertët që ne jemi konsultuar, janë skeptik për rezultatin dhe impaktin pozitiv që mund të sjellë në ekonomi”, u shpreh Jakaj.

“Shumë pak vende në botë janë ato që i kanë aplikuar me të tilla tarifa që ne i kemi propozuar”, theksoi Rrushaj.

Për herë të parë diskutimeve publike mbi këtë çështje ju bashkua edhe opozita, e cila sot deklaroi se nuk është kundër amnistisë në parim, por nuk mund t’i bashkohet një proçesi të tillë në prag zgjedhjesh.

“Nuk do të jetë mirë që politika të bëjë biznes elektoral me disa propozime konkrete dhe njëkohësisht ndonjë pjesë e biznesit të bëjë politikë, me iniciativa të tilla duke u fokusuar se kush nga forcat politike të vendit tonë e mbështet apo nuk e mbështet. Në momentin në të cilin është zgjedhur për të hapur një debat të tillë në vend që ta ndihmojë e mbingarkon negativisht”, deklaroi ish ministri i Financave, Arben Malaj.

“Ne do t’i kërkojmë edhe qeverisë në komisionin parlamentar, por edhe si grup parlamentar që drafti të ketë kohën e duhur. Nëse amnistia nuk është e gjerë dhe nuk i ka transmetuar politikat drejt në koncept, ajo ka gjasa që më shumë të dëmtojë dhe jo të zgjerojë bazën e tatim-paguesve”, theksoi deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj.

Por Ministria e Financave thotë se ishte biznesi ai që kërkoi përshpejtimin e draftit.

“Kjo ishte kërkesa e pjesës më të madhe të bisnesit. Natyrisht që nuk mund të paragjykohet qeveria për paraqitjen në këtë kohë të draftit. Për më teper qoftë kryeministri, qoftë ministri i Financave, vullnetin politik për të ecur në këtë rrugë, ka muaj që e kanë shprehur”, pohoi Rrushaj.

Qeveria ka dy drafte për amnistinë që së shpejti do dërgohen në komisionet parlamentare. Nëse nuk do të arrihet konsensusi për amnisti të gjerë, atëherë Ministria e Financave do të dërgojë ligjin për faljen.

Top Channel