“Ç’janë këta që shkojnë dhe thonë ‘Shqipëria në duart e krimit’”, Berisha pas deklaratës së Ramës: E kanë paralajmëruar partnerët ndërkombëtarë, por ai…

25/04/2026 21:40

Nga Dibra, kreu i qeverisë akuzoi sot opozitën se në arenën ndërkombëtare flasin keq për Shqipërinë, që sipas Edi Ramës kjo nuk ndodh me asnjë opozitë tjetër.

Pasditen e kësaj të shtune në mbledhjen me kryetarët e degëve të PD në Tiranë, Sali Berisha tha se kryeministri merr përsipër akte edhe pasi sipas tij është paralajmëruar nga partnerëve kryesorë ndërkombëtarë në procesin e integrimit europian, se pasojat mund të ndikojnë në integrimin e vendit në BE.

“Sot u kërkonte socialistëve të na mbroni nga sulmet. Në mënyrë që të vjedhim të qetë. Na mbroni nga sulmet, thoshte”, tha Berisha ndër të tjera.

“Thirrëm këtë takim sepse në situatë të jashtëzakonshme, ne duhet t’i përgjigjemi me një gatishmëri dhe masa të jashtëzakonshme. Vendi ndodhet në një situatë të paprecedent më parë. Edi Rama hoqi çdo maskë për të mbrojtur lëkurën e tij para shqiptarëve dhe mbarë botës. Në një akt antikushtetues, ai bllokoi në mënyrë brutale veprimin e sistemit të drejtësisë”, u shpreh ai duke iu referuar votimit për heqjen ose jo të imunitetit të Belinda Ballukut.

“Edi Rama ndërmori këtë akt edhe pas paralajmërimeve të përsëritura të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë në procesin e integrimit europian, por dhe të partnerëve të tjerë. Pra, ky është një vendim që u ndërmor për të shpëtuar lëkurën e tij. Me të drejtë shqiptarët pyesin, si ka mundësi që ndërmirret një akt i tillë nga parlamenti?

Unë u them qytetarëve shqiptarë, pavarësisht nga bindjet politike, se Shqipëria sot ka në krye një bandë kriminale, më të rrezikshmen që ka patur ndonjëherë. Sot Shqipërisë, sot rilindas do të thotë kriminel dhe vetëm kriminel. Ata që i shihni ju që rreshtohen në mënyrën më të turpshme pas vendimeve të Edi Ramës, ata janë njerëz të inkriminuar, të lidhur me krimin”,  tha Berisha.

“Duhet thënë se në këto kohëra të paprecedentë në të cilat kalon Shqipëria, demokratët dhe demokratët, mbështetëset dhe mbështetësit tanë me protestat e tyre, me kryengritjet e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Luajtën një rol shumë të madh. Në qoftë se ju ndiqni qeverisjen e Edi Ramës, ajo bazohet në rrafshin ndërkombëtar në korrupsion, lobim korruptiv”, e përfundoi fjalën kreu i PD para se mbledhja të kalonte me dyer të mbyllura.

“Çdonjëri prej jush, çdo anëtar i partisë dhe çdo mbështetës dhe apo i forumeve tona, ftoj të rikujtojë vetëm një gjë, vetëm një deklaratë e cila nuk u bë në selinë e Partisë Socialiste, por u bë nga lobistët e korruptuar të Edi Ramës.

Se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, problemi i saj është se shqiptarët nuk ngrihen kundër korrupsionit. Një racizëm i mirëfilltë aty shqiptar.  Me kryengritjen tonë paqësore, ne kemi plagosur bishën në mënyrë përfundimtare.

Demokratët janë në një presion të jashtëzakonshëm, por duhet të jenë më krenarë se kurrë, sepse në kushtet të një terrori të vërtetë psikologjik, në kushte të një terrori të vërtetë mediatik, në kushte të një terrori policesk, ata ju faktuan shqiptarëve dhe botës që janë opozita e vërtetë e këtij vendi”, tha ai.

Top Channel