Shkatërrimi i kopshtit botanik

12/03/2011 17:00

Qytetarë të Tiranës dhe ambientalistë kanë protestuar për të mos lejuar shkatërrimin e hapësirës së kopshtit botanik.

Ata shprehen të indinjuar për hartimin e projektit që parashikon futjen me rreth 2 ha në brendësi të kopshtit botanik, duke shkatërruar pjesën funksionale të tij pa u konsultuar më parë edhe në këtë rast të fundit, me palët e interesit dhe ekspertë mjedisorë.

“Unë si qytetar që jetoj këtu e kam frekuentuar këtë park herë pas herë me familjen dhe më vjen shumë keq që të cungohet kaq rëndë”, është shprehur një qytetar.

“Projekti gabon kur në pyetet grupi i interesit që është pronari, nuk pyetet qytetari, nuk pyetet profesori, nuk pyetet eksperti, nuk pyetet komuniteti. Sikur edhe 2 metra t’i marrësh kësaj vepre kombëtare duhet ta mendosh dy herë”, theksoi ambientalisti, Sazan Guri.

Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetarja e Njësisë Bashkiake Numër 5, Jeta Seitaj dhe deputetja e zonës Eglantina Gjermeni të cilat shprehen se nuk janë kundër ndërtimit të unazës së madhe, por kërkojnë të mos cënohet hapësira e kopshtit botanik, i vetmi në të gjithë vendin.

“Sipas të gjitha ligjeve duhet të merren vendimet e institucioneve në të cilat do të kryhen këto veprime, gjë që qeveria nuk e ka pasur fare parasysh. Nuk është marrë mendimi as i Universitetit, as i Fakultetit të Shkencave dhe as i Ministrisë së Arsimit. Ky qëndrim flet për një ndërhyrje të drejpërdrejtë të oborrit të qeverisë në shkatërrimin e këtij institucioni unikal në Shqipëri”, tha Seitaj.

“Ndërtimi i unazës nga qeveria ‘Berisha’ do të dëmtojë këtë pasuri unikale kombëtare. Qendrimi dhe përqasja që zgjedh qeveria ‘Berisha’ është e gabuar, pa u konsultuar me grupet e interesit duke prekur dhe cënuar një pasuri në të cilën kanë investuar breza të tërë dhe vërtetë ka shërbyer si një vend shplodhës dhe edukues për breza të tërë”, u shpreh Gjermeni.

Rrethrrotullimi është spostuar në projektin e Drejtorisë së Rrugëve dhe futet në hapësirën e kopshtit botanik me 2 ha, ndërkohë që në projektin e mëparshëm të BERZH, pikërisht për të mos cënuar kopshtin botanik, ishte parashikur në rrugën “Komuna e Parisit”.

Top Channel