Jose Mourinho vazhdon të krijojë polemika, ndërsa në deklaratën e tij të fundit, trajneri i Realit të Madridit denoncoi një komplot të supozuar ndaj skuadrës që ai drejton.
Duke protestuar kundër kalendarit të ndeshjeve të kampionatit spanjoll dhe kundër lehtësisë me të cilën gjyqtarët i japin kartona futbollistëve madrilenë, Mourinho deklaroi në mëngjes gjatë një konference për shtyp:
”Të gjithë e dinë që Barcelona është në gjendje të luajë kur të dëshirojë, ndërsa ne luajmë gjithmonë në orën dhjetë të darkës. Dikush mund të thotë se kjo nuk përbën një favor, por sistemi biologjik i trupit bën që fuqitë të jenë të ndryshme në atë orar.
Edhe pse kjo vlen edhe për kundërshtarin, ata gjithmonë janë të favorizuar, pasi kundër nesh bëjnë një lojë që nuk ka nevojë për cilësi teknike.
Përsa i përket ndëshkimeve, të gjithë e dinë që ndaj nesh, gjyqtarët i japin kartonat shumë më lehtë. Për lojtarët e Realit, kartoni i verdhë shndërrohet në të kuq, ndërsa një faull i thjeshtë shndërrohet në kartonin e verdhë.
Për të njëjtat veprime që bëjnë edhe futbollistët e mi, ndaj skuadrave të tjera, shpesh herë nuk veprohet me të njëjtin standart. Nuk ka nevojë të shkojmë larg për të ilustruar këtë, mjafton të merrni parasysh dy javët e fundit”.
Top Channel