Ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sequi ka bërë thirrje për zgjidhje të krizës politike në vend, tejzgjatja e së cilës do të ndikojë në të ardhmen europiane të vendit. (UPDATE)
Këtë apel ambasadori Sequi e bëri në Shkodër, ku mori pjesë në përurimin e qendrës së Bashkimit Europian për informim, së bashku me kryeministrin Berisha.
“Unë shpresoj të mund të gjendet një zgjidhje për situatën politike, e cila nëse vazhdon edhe mund të ngadalësojë të ardhmen europiane në Shqipëri. Liberalizimi i vizave ishte një hap në rrugën drejt integrimit në BE, por është vetëm një hap në rrugën e gjatë që kërkon vendosmëri. Përpara kemi sfida të rëndësishme ndër to janë dhe zgjedhjet lokale të 8 majit që duhet të zhvillohen në të njëjtën linjë me standardet më të mira ndërkombëtare, që kërkojnë që të kenë bashkëpunim më të mirë e të përmisojnë dialogun ndërpartiak në Parlament që do lejojnë aprovimin në mënyrë me konsensuale të reformave që ky vend ka dhe më shumë nevojë”, tha Sequi.
Kryeministri Berisha nga ana e tij, bëri apel për pjesëmarrje në zgjedhjet e 8 majit, duke sulmuar sërish opozitën për ngjarjet e 21 janarit.
“Krerët e opozitës rrethuan Këshillin e Ministrave për të rrëzuar qeverinë legjitime, përgjigjja jonë është institucionale për funksionimin e shtetit ligjor dhe hetimin e plotë e tërësor të 21 janarit. Kjo është ajo që kërkon çdo qytetarë, kjo është ajo që kërkon Europa dhe Amerika. Hetimi i plotë do të bëhet dhe gjithçka do të dalë në dritë të diellit. Më 8 maj ju ftoj të marrim pjesë në votime. Është një shans për të lartësuar ndërtesën e Shqipërisë Europiane e të dëshmojmë se nuk ka flakë, nuk ka puç apo puçist, nuk ka aventurë apo aventurier që cënon votën tonë të lirë”, deklaroi Berisha.
Qendra e informimit të Bashkimit Europian në Shkodër është e dyta, pas asaj të çelur kohë më parë në Tiranë.
Top Channel