“Memorandumi i paraqitur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në thelb ia arriti qëllimit dhe solli një frymë të re brenda partisë”.
Kështu deklaron anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe autor i memorandumit të 6 shkurtit, Besnik Mustafaj i cili, i ftuar në E Diell në Top Channel, foli për propozimet e parashtruara prej tij dhe për ndikimet që patën ato brenda strukturave të partisë.
“Pati një frymë të re nga lidershipi për të shqyrtuar ato që paraqita unë. Jam i kënaqur sepse nisi një frymë e re. Në thelb mendoj se ia arriti qëllimit dokumenti, në Këshillin Kombëtar të PD”, nisi fjalën e tij zoti Mustafaj.
Në vijim ish-ministri i Jashtëm tha se ai personalisht nuk synonte hedhjen në votim të memorandumit pasi nuk dëshironte të krijoheshin fraksione brenda këshillit dhe se vetë Berisha bëri gabim që e hodhi në votim atë. Mustafaj tha se ky organ i Partisë Demokratike është jashtë funksionit dhe se ai duhet të rikthehet në kryerjen e detyrave të tij, sic janë politikat, analizat dhe vendimet.
“Unë isha kundër hedhjes në votim të memorandumit. Berisha bëri gabim që e hodhi në votim për të ndarë këshillin në të mitë e në të atij, kur nuk ka rivalitet mes meje dhe atij. Këshilli duhet të prodhojë politika, analiza dhe vendime. Aktualisht këshilli PD është jashtë këtij funksioni. Ato që thosha unë ishin pjesë e shqetësimit që kanë shumë demokratë”, tha Mustafaj.
Më tej zoti Mustafaj analizoi situatën politike në vend dhe luftën e ashpër mes dy kampeve kryesore. Ai tha se është dhe do të jetë pjesëe Partisë Demokratike si një mendim që synon t’i japë hapësirë pjesës vitale të partisë për shkak të bindjeve të tij politike dhe se nuk mbështet asnjë alternativë që synon të zëvendësojë me dhunë alternativën tjetër.
Mustafaj kritikoi gjithashtu edhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij Rama në krye të PS-së po imiton defektet e Berishës.
“Tek Edi Rama më bën përshtypje që në mënyrë shablloneske imiton defektet Berishës. Berisha është një politkan kompleks, është kryeministër dhe lider politik pasi udhëheq koalicionin qeverisës”, tha Mustafaj.
Besnik Mustafaj u shpreh optimist për gjetjen e mjeteve të komunikimit mes opozitës dhe mazhorancës në Shqipëri për të kapërcyer krizën politike, pasi sipas tij, përpara është 8 maji, një datë e pakapërcyeshme nga të dyja kampet.
Top Channel