Emisioni i pasdites në Top Channel trajtoi sot ato ndërhyrje apo trajtime kirurgjikale ortopedike, të cilat më parë nuk mund të realizoheshin në vendin tonë.
Kirurgë të spitalit Hygeia në Tiranë theksuan faktin se tashmë pacientët që kanë probleme me sëmundshmërinë reuzmatimale, artroskopitë e supit, të gjurit e të legenit mund t’u nënshtrohen ndërhyrjeve apo trajtimeve kirurgjikale, të cilat përmirësojnë ndjeshëm jetën e tyre të përditshme.
Ato nuk mund të aplikoheshin deri përpara pak kohe, pasi në vendin tonë nuk ekzistonin pajisjet dhe teknikat për këtë.
”Ndërhyrjet e tilla kanë pak kohë që kanë filluar të bëhen në spitalin Hygeia dhe ne jemi shumë krenar për këtë. Në operacionet tona përpiqemi të eliminojmë sa më shumë problemet e transfuzionit të gjakut”, thotë kirurgu ortoped Savas Surmelis.
Mungesa e vullnetarëve, por mbi të gjitha fakti se marrja e një gjaku të huaj nuk është asnjëherë e këshilluar, janë ato që kanë shtyrë spitalin në ndjekjen e kësaj politike.
Ndërkohë, teknikat moderne diagnostikuese dhe teraupetike në shërbim të këtyre ndërhyrjeve ortopedike sigurojnë një rezultat sa më të mirë të mundshëm.
”Këto lloj ndërhyrjesh e përmirësojnë në maksimum cilësinë e jetës së njeriut, ndërsa suksesi është i garantuar. Nuk ka arsye njerëzit të ngurojnë të bëjnë ndërhyrje në gju apo legen”, shton doktor Surmelisi.
Ndërhyrjet ortopedike aplikohen kryesisht tek pacientët që kanë pësuar trauma automobilistike apo në vendin e punës dhe veçanërisht tek ata që merren me aktivitet fizik dhe janë më të ekspozuar ndaj problemeve që mund të shkaktohen në nyjet e trupit si në gju, supe, legen apo duar.
Kirugu ortoped. Zoti Konidhis, shpjegon se ndërhyrjet duhet të bëhen në një kohë sa më të shkurtër, pasi probleme të tilla krijojnë pasoja të rënda në lëvizje.
”Ndërhyrjet është e këshillueshme që të bëhen në një moment sa më të shkurtër pas dëmtimit, pasi kështu reduktohen më shumë pasojat”, thotë Konidhisi.
”Është vërtetuar se nëse një fëmijë dhjetë vjeç, vuan nga një çarje e ligamentit në gju, nëse ai nuk bën një operacion brenda një viti, ekziston një rrezik i shtuar që të pësojë një çarje edhe në menisk”.
Megjithatë, jo të gjithë ata që kanë probleme duhet t’i nënshtrohen me çdo kusht një operacioni. Kjo varet nga mosha, puna dhe aktiviteti fizik i personit.
”Nëse kemi të bëjmë me një sportist, është e detyruar që të kryhet ndërhyrja kirurgjikale, por nëse pacienti është një njeri normal, gjykohet rast pas rasti”, vazhdon Konidhis.
”Nëse kemi të bëjmë me një njeri që ka një punë zyre dhe nuk ka ndonjë aktivitet të madh fizik, mund të mos jetë i domosdoshëm operacioni. Prandaj çdo rast gjykohet ndryshe”.
Tashmë në vendin tonë mund të realizohen me efikasitet artroplastikat e plota dhe të pjesshme, ndërhyrje të cilat shkojnë përkrah nivelit të lartë të zhvillimit të shkencës së mjekësisë.
Aplikimi i teknikave më të fundit bashkëkohore me pajisjet po të këtyre niveleve mund t’u kthejnë shqiptarëve që vuajnë nga problemet ortopedike një jetë normale.
Pikërisht, këto diskutime kanë qenë në fokus të seminarit të organizuar në spitalin Hygeia, ku morën pjesë shkencëtare të njohur të huaj dhe shqiptare në fushën e mjekësisë e veçanërisht të ortopedisë.
Top Channel