Anëtari i Këshillit Kombëtar dhe një ndër drejtuesit historikë më të lartë të PD-së, Besnik Mustafaj ka kërkuar përmes memorandumit të paraqitur në Këshillin Kombëtar realizimin e një reforme të plotë riorganizuese të partisë dhe strukturave të saj, nga demokratizimi, lejimi i mendimit ndryshe deri te kthimi i partisë në frymën e partive Popullore Europiane.
Në memorandum theksohet se Këshilli Kombëtar prej kohësh ka humbur funksionin e tij për shkak të mos mbledhjes cka ka shkaktuar sipas Mustafajt pasoja të dukshme negative në përmbushjen e misionit politik të PD.
Mosmbledhja e Këshillit prej 14 muajsh ka bërë, sipas zotit Mustafaj që partia të ketë me mandat të ligjshëm vetëm kryetarin e saj, Berisha dhe nënkryetarin, si kryetar i grupit parlamentar, Astrit Patozin.
Në këtë konteks, për t’i kthyer legjitimitetin, zoti Mustafaj shtroi në memorandum nevojën e votimit të strukturave drejtuese në këshill larg klientelizmave partiake.
Në memorandum kritikohet fakti se shumë politika të ndjekura nga Partia Demokratike e kanë larguar gradualisht këtë të fundit nga identiteti i saj si parti e qendrës së djathtë. Kjo justifikohet me faktin se janë iniciuar dhe po vazhdojnë te iniciohen politika liberale dhe konservatore dhe në të njëjtën kohë, edhe qendrime ndaj pronës apo politika sociale me përmbajtje të pastër të majtë.
Sipas Mustafajt këto luhatje dhe qendrime nga një ekstrem në tjetrin, dukshëm populiste për interesa momentale kanë dobësuar lidhjet me shtresat tradicionalisht përkrahëse të PD-së, si ish të përndjekurit, ish-pronaret dhe biznesin e madh.
Kjo situatë sipas memorandumit duhet diskutuar në formë debatesh, duke respektuar mendimin ndryshe që do të shërbente për të tërhequr e gjallëruar edhe kapacitetet e grupeve shoqërore dhe të grupeve të interesit jashtë strukturave të partisë që presin nga PD të mishëroje idealet për shtetin, drejtësine dhe lirinë e tregut e pronës.
Në bazë të të gjithë elementeve të analizuar në këtë dokument të detajuar, Besnik Mustafaj kërkoi nga Këshilli Kombëtar të përcaktojë si objektiv madhor ndërmarrjen e reformave brenda partisë për modernizimin dhe demokratizimin e saj për të cuar në këtë mënyrë në lartësinë e Partive Popullore Europiane, prej frymës së të cilave PD është ende larg.
Pas paraqitjes së memorandumit, pavarësisht kritikave të forta, të cilat nuk është se janë shprehur shpesh në forma të tilla, kryeministri Berisha i është ruajtur debatit të ashpër me ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë të së kaluarës, duke pranuar me tone të qeta ndonjë gabim në ndonjë rast, sic është mosmbledhja e këshillit dhe moszgjedhja e strukturave.
Në fund, dokumenti i zotit Mustafaj në Këshillin Kombëtar që ka mbi 100 anëtare u hodh në votim, duke marrë vetëm dy vota pro atë të vetë Mustafajt dhe të zotit Gazmend Oketa.
Top Channel