Haxhinasto: 21 janari, dëmtoi rëndë imazhin

06/02/2011 17:00

I ftuar në E Diell në Top Channel, zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto komentoi ngjarjet e 21 janarit dhe dëmit që këto ngjarje i shkaktuan imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Zoti Haxhinasto, pasi vlerësoi marrëdhënien profesionale me kryeministrin Berisha, e cila siç tha ai është në shërbim të objektivave madhore që ka vendi, siç është integrimi europian, u shpreh se u duhet dhënë më shumë kohë institucioneve të pavarura për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit dhe të pasojave të saj.

Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, i cili më 21 janar ndodhej në zyrën e tij të punës, vlerësoi se ka parë rrjedhjën e ngjarjeve në dy plane, në planin qytetar dhe në atë profesional, për shkak të posteve që mban në kabinet.

“Perceptimi im ka qenë në disa plane, në planin qytetar kam ndjerë një dhimbje kur kam parë si ka filluar demonstrimi dhunshëm, policët bij nënash që duruan goditje të tilla që kisha kohë si kisha parë. Kam përjetuar përshkallëzimin e demonstratës deri kur demonstruesit janë shpërndarë dhe dhimbje për jetët e humbura. Në planin e detyrës time, kam patur aktivitet intensiv, kam qenë në kontak të vazhdueshëm me shumë ambasadorë dhe mund të them se kam përjetuar në aspektin profesonal se çfarë goditje të madhe i kemi bërë imazhit të vendit. Kam menduar edhe për pasojat, pasojat që do vinin pas ngjarjes. 12 prioritetet që  ka vënë BE për ne, kërkojnë angazhim dhe klimë tjetër politike”, tha Haxhinasto.

Kreu i diplomacisë tha se viktimat e demonstratës peshojnë rëndë dhe për këtë ndjen dhimbje, por shtoi se në vetvete ndjehej i kënaqur pasi shteti, sipas tij, u tregua i aftë të mbronte institucionet e veta nga skenari i asaj demonstrate.

“Goditet shteti, disa qytetarë godasin shtetin, e dimë shumë mirë se kush ishin ata dhe si u realizua skenari i asaj demonstrate, ndjej dhimbje për viktima. Por ndjehem i kënaqur në vetvete për atë që shteti arritit të mbronte institucionet e tij. Mendoni sikur policia të ishte larguar, pasojat do të ishin evidente, Shqipëria do të kthehej shumë vite pas”, u shpreh zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.

Kryediplomati shqiptar komentoi edhe deklaratat e faktorit ndërkombëtar përsa i përket ngjarjeve të 21 janari, veçanërisht ato të ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili një ditë më parë deklaroi se rotacioni politik në demokraci bëhet vetëm me zgjedhje.

“Arvizu ka thellësinë për të kuptuar se Shqipëria ka demokraci, ka një sistem demokratik, ku pushteti merret vetëm me zgjedhje dhe jo me dhunë”, tha Ministri i Jashtëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA