Për Partinë Socialiste, pjesëmarrja masive e qytetarëve në protestat e sotme ishte një mesazh i qartë kundër “qeverisë së kusarisë”.
“Qytetarët dëshmuan se dhuna e Berishës jo vetëm që nuk funksionon, por as i tremb. Nuk ishin vetëm 40 mijë kryeqytetas që marshuan në rrugët e Tiranës, por edhe me mijëra në qytetet e tjera”, ka deklaruar deputeti Besnik Bare.
Sipas tij, falë transperencës së kamerave, gjithë vendi pa rezistencën e shqiptarëve kundër regjimit të matrapazllëkut.
“Ata i dhanë një mesazh të qartë të ashtuquajturit kryeministër, se ai dhe qeveria e tij duhet të largohen pasi populli nuk i do më dhe nuk do t’i mbajë më mbi kurriz”, ka pohuar Bare.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka përshëndetur qytetarët shqiptarë, të cilët sipas saj, bojkotuan sot protestat e opozitës së majtë.
“Përshëndes qytetarët e Tiranës, Krujës, Kavajës dhe Durrësit, që bëjnë 1 milionë e 200 mijë banorë, të cilët i dhanë përgjigjen e merituar me bojkotin e tyre kryepucistit Rama”, ka deklaruar deputeti Aldo Bumci.
“Qytetarët e Tiranës, Krujës, Kavajës dhe Durrësit bojkotuan protestën e kryepucistit, që më 21 janar rrethoi për 5 orë ndërtesën e kryeministrisë, me mercenarë dhe kriminelë”, ka vijuar ai.
Bumci është shprehur se me bojkotin e tyre, qytetarët u dhanë mesazhin më të mirë “bllokmenëve”, që sipas tij duan të marrin pushtetin përmes dhunës.
“Qytetarët e Tiranës, Kavajës, Krujës dhe Durrësit sot bojkotuan bllokmenët, që vërtetuan në sytë e gjithë botës se janë të gatshëm të djegin vendin vetëm për të marrë pushtetin. Mazhoranca përshëndet qytetarët dhe i garanton ata se askush nuk do t’ua shkelë të drejtat”, ka shtuar Bumci.
Top Channel