Qeveria, kufizim pagave të bashkive

01/02/2011 08:00

Bashkitë dhe komunat duhet të kenë kujdes me planin e shpenzimeve kur bëhet fjalë për pagat dhe shpërblimet.

Ministria e Financave ka nxjerrë udhëzimin e buxhetit të shtetit 2011, i cili përcakton kriteret dhe kufijtë që duhen respektuar për shpenzime pagash nga njësitë e pushtetit vendor.

Duket se beteja dhe presioni ndaj njësive vendore, të cilat do të hyjnë në fushatën zgjedhore të majit, po bëhet akoma edhe më i madh nga ana e qeverisë.

Nga inspektimet e Ministrisë së Financave të kryera deri tani, rezulton se shumë bashki i kanë shpenzuar fondet duke përdorur politikën e rritjes së pagave dhe aplikimin e shpërblimeve.

Për këtë arsye, Financat ndryshuan ligjin e buxhetit, duke vendosur kufizime. Kufizimi bëhet akoma edhe më i ndjeshëm për njësitë vendore të cilat nuk e kanë miratuar ende buxhetin për këtë vit, pasi do të duhet t’i menaxhojnë fondet me shumë kujdes.

Përmes një udhëzimi të posaçëm, ministria ka përcaktuar përqindjet që bashkitë dhe komunat mund të përdorin për pagat e personelit.

Bëhet fjalë për fondet që marrin nga qeveria përmes granteve të pakushtëzuara, pra fonde që jepen për qëllime të ndryshme, jo vetëm për paga, por edhe për investime.

Drejtoresha e përgjithshme e Buxhetit pranë Ministrisë së Financave, Mimoza Dhëmbi, deklaron se udhëzimi i zbatimit të buxhetit përcakton qartë kufirin e shpenzimeve vetëm për paga.

Sipas saj, transfertat e fondeve të pakushtëzuara që nuk përdoren plotësisht gjatë një viti buxhetor, do të mbarten për vitin e ardhshëm.

Sipas ministrisë, bashkive u lënë hapësira për shpenzime në masën 20-30 për qind, komunave deri në 40 për qind, kurse qarqeve 50 për qind.

Këto aplikime nuk do të jenë njëlloj për të gjitha njësitë vendore, por mbi bazën e një formule e cila i referohet numrit të popullsisë dhe mesatares së shpenzimeve.

Top Channel