Gjinushi: Videoja, provë ligjore

17/01/2011 23:15

Kryetari i PSD, Skënder Gjinushi ka deklaruar se videoja Meta-Prifti e transmetuar nga emisioni “Fiks Fare” është një provë konkrete që fakton korrupsionin në qeveri.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Gjinushi është shprehur se me përgjimin e aferës korruptive nuk ka asnjë shkelje ligjore.

“Nuk ka përgjim të paligjshëm, përvecse kur përgjohet jeta private që përbën vepër penale. Këtu as që bëhet fjalë për jetë private. E dyta, aty bëhet fjalë për provë. Prifti dëshmon dhe e ka këtë si bazë për të dëshmuar”, ka pohuar Gjinushi.

Sipas tij, vërtetësinë e kësaj kasete e kanë pranuar edhe vetë protagonistët e asaj videoje, si dhe personat që pëmenden në të.

“Ekzistencën e kasetës e kanë pranuar edhe Berisha me Metën dhe nëse do të kishte qenë montazh do të ishte hedhur në plehra. Ajo është e shkurtuar, por nuk është montazh”, është shprehur Gjinushi.

Më tej ai ka akuzuar kryeministrin Berisha se po tenton t’u mbyllë gojën mediave dhe institucioneve kushtetuese për të mbuluar skandalet e tij.

“Berisha sulmon institucionet për të mbuluar korrupsionin e tij. Kur erdhi në pushtet rrëzoi Sollakun për të mbrojtur korrupsionin dhe kryeprokurorja e re ka pësuar të njëjtat sulme si ai kur është përpjekur të hetojë. Gjithashtu, Berisha ka dashur t’i mbyllë gojën edhe medias”, ka shtuar Gjinushi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta