Lufta për zbavitjen e jetës së natës nuk njeh kufij. Këngëtarët vërshojnë nëpër pub-e, DJ të huaj që sillen si yje, por një alternativë e re prej disa kohësh po sfidon mjeshtrit e argëtimit me një sukses jo të vogël.

Personazhe të bërë publikë nëpërmjet edicioneve të ndryshme të “Big Brother” janë tashmë atraksioni dhe pse jo drejtuesit e festës në shumë lokale nate.

Juna një nga protagonistët e edicionit të parë na tregon se si filloi gjithçka për të.

“Fillojnë ato daljet që të pëlqejnë, fillojnë angazhimet dhe njerëzit fillojnë të të shfytëzojnë imazhin”, tregon Juna.

Olsi që nuk ka nevojë për prezantime, nga i apasionuar pas zbavitjeve të orëve të vona ka parë se kjo e argëtimit të të tjerëve, mund të jetë një punë me të cilën ai të merret dhe të fitojë diçka.

“Raporti me jetën e natës ka mbaruar se unë më tepër rri në punë gjatë gjithë natës”, thotë Olsi.

Personazhë të reality show-t të preferuar të shqiptarëve që sapo dalin bëhen për disa kohë të kërkuar nga biznese të argëtimit, një praktikë e importuar që nuk po gjen terren shterpë në Shqipëri. Poli është dhe ai i përfshirë në këtë fenomen.

“Një shoqja ime thotë me humor se BB ka fabrikuar vetëm menaxhera. Kjo në përputhje edhe me mentalitetin perëndimor që imazhi sjell klientelë”, tregon Poli.

Por mbi të gjitha nuk mund të harrohet ndikimi që pati prezenca e tij e tejzgjatur në ekran dhe marketingu i madh, si ndihmë që ai të kthehet në një produkt interesant për lokalet e natës.

“Po mos të kisha qenë në atë emision, gjërat s’do të ishin kështu”, shprehet Olsi.

Por ndonëse pa ndonjë profesion të caktuar, këta profesionistë të jetës së natës vuajnë edhe sëmundjet profesionale.

Përmasat e ndonjë fitimi të vogël kanë kaluar dhe tashmë puna është me kohë të plotë.

“Në fundjavë jam më e angazhuar, sepse jeta e natës bëhet në ato ditë”, thotë Juna.

Por mos u gënjeni nga çfarë shihni kur dilni në fundjavë. As për të preferuarit e publikut nuk është fushë me lule. Puna është serioze, impenjimet janë të mëdha dhe sakrificat të shumta, sepse të zbavitesh nuk është e lehtë.

“Mbase nga fundi që shterojnë ato fuqitë për t’u marrë me njerëzit”, tregon Juna.

Top Channel