PS, akuza qeverisë për statusin

10/11/2010 20:10

Deputetët e opozitës në komisionin e integrimit kanë cekur disa nga pikat më kritike të raport progresit të Komisionit Europian mbi Shqipërinë.

Deputeti Ditmir Bushati është ndalur tek mungesa e funksionimit të Kuvendit dhe të shumë strukturave të rëndësishme shtetërore.

“Në raport thuhet se Parlamenti s’funksionon, se s’ka kontroll kushtetues ndaj qeverisë dhe se kryetarja e Kuvendit abuzon me postin e saj. Kemi një administratë publike të politizuar e nepotike. Gjithashtu, krimi dhe korrupsioni konsiderohen si një gangrenë e shoqërisë shqiptare”, ka deklaruar Bushati.

Nga mosmarrja e statusit Shqipëria humbet financimin për një sërë projektesh në infrasturkturë, shëndetësi, mjedis dhe sektorë të tjerë socialë.

Deputetët e komisionit të integrimit kanë debatuar për disa minuta mbi rendin e ditës, ku deputetët e opozitës kanë cekur disa nga pikat më kritike të raportit, c’ka ka sjellë reagime dhe kundërshti nga kolegët e mazhorancës.

“Atëherë, unë theksova 2-3 momente të raportit të Komisionit që fokusohej me punën e Parlamentit dhe ajo që nuk do të doja unë të ishte është mungesa e efikasitetit në punë”, ka deklaruar deputetja Ermelinda Meksi.

“Më mirë të mos bëjmë vlerësime pa e lexuar të gjithë raportin. Unë them ta lexojmë raportin dhe ta kthejmë në një objekt pune”, ka replikuar deputeti demokrat Aldo Bumci.

Gjatë javës së ardhshme pritet që në këtë komision të diskutohet mbi buxhetin dhe përafrimin e tij me objektivat e MSA-së.

Top Channel