“Kasat”, PS: Procesi, i dyshimtë

27/09/2010 15:00

Ashtu sic kishte paralajmeruar, Partia Socialiste ka nisur te publikojë fakte qe sipas saj deshmojnë se procesi ligjor i pajisjes së biznesit me kasa fiskale është shndërruar në një biznes për vetë qeverinë.(UPDATE)

Deputetja Mimi Kodheli, thotë se abuzimi ka nisur që me vendimin e parë të qeverisë për të pajisur biznesin me kasa, atë të datës 14 nëntor 2007

“Ky vendim përcakton gjithçka në lidhje me kasat fiskale, por nuk parashikon asnjë lloj garë që të mund t’u sigurojë bizneseve shqiptare duke përfshirë edhe bizneset e vogla, çmimin më të ulët apo çmimin më të lirë të kasave fiskale. Çuditërisht, edhe urdhëri numër 48 i datës 5 mars 2008, lëshuar nga Ministri Bode nuk përcakton një garë që garanton çmimin më të lirë të kasave”, tha Kodheli.

Deputetja socialiste akuzoi se monopoli i krijuar nga qeveria detyroi biznesin shqiptar t’i blinte kasat me cmimet më të larta në Europë

“Në Itali, Francë, Angli, Gjermani, Rumani, Maqedoni këto kasa kushtojnë nga 100 – 130 euro. Pra nuk bëhet fjalë për një marzh fitimi prej 10 -15% siç deklaroi ministri Bode, por për një fitim prej së paku 300 eurosh për kasë fiskale. Me një llogari të thjeshtë, nëse kujtojmë se në Shqipëri ka rreth 130 000 biznese, këto kompani të përzgjedhura prej Bodes dhe Berishës pritet të nxjerrin një përfitim marramendës që fillon nga 40 milion eurot”, tha Kodheli.

Sipas Partisë Socialiste qeveria jo vetëm që u ka dhënë monopolin e shitjes dy kompanive të përzgjedhura, por u ka krijuar edhe një mundësi fitimi të dyfishtë duke u dhënë dhe të drejtën e mirëmbajtjes së kasave.

Top Channel