Juventusi i Del Nerit pëson një humbje shokuese në fushën e vet në Torino. Bardhezinjtë u mundën me rezultatin 1-3 nga Palermo, në ndeshjen e prapambetur të javës së katërt të Serisë A.
Miqtë kaluan shumë shpejt në avantazh. 2 minuta nga starti i takimit, një kundërsulm i siçilianëve përfundon me golin e shënuar nga talenti argjentinas, Havier Pastore. Minutat në vazhdim, megjithë përpjekjet e kapitenit Del Piero, i cili në një rast godit edhe traversën, nuk sollën ndryshim rezultati. Pjesa e parë mbyllet 0-1.
Me rinisjen e ndeshjes, Del Neri rrezikon teksa hedh në lojë dy sulmues të tjerë, pikërisht Amaurin dhe Jakuintën që zënë vendet e Pepes dhe Kualjarelës. Por edhe kjo lëvizjë nuk pati efekt, përkundrazi, Palermo dyfishon me Josip Ilicic në minutën e 62-të. Rreth 20 minuta më vonë, kur bardhezinjtë ishin hedhur të gjithë në sulm në kërkim të golit të parë, siçilianët vulosin fitoren e tyre. Në të 85 Bovo shkund rrjetën e Juves.
3 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt Juventus gjen golin e parë me Jakuintën, por minutat në vazhdim ishin të pamjaftueshme për të sjellë ndryshim rezultati. Palermo fiton me rezultatin 1-3.
Ndeshja Juventus-Palermo përfundoi javën e 4 të Serisë A. Kryesimi mbahet nga Interi me 10 pikë i ndjekur nga Kievo e Breshia me 9, ndërkohë që Juventus mbetet në kuotën e 4 pikëve, po aq sa Palermo që regjistroi edhe fitoren e parë në këtë kampionat.
Top Channel