Hapet “Qyteti i arteve”

22/09/2010 20:20

Rektorati i Akademisë së Arteve ka nisur zbatimin e një programi ambicioz, me qëllim realizimin e projekteve artistike të studentëve, të sapodiplomuarëve dhe personelit akademik të saj. 

Programi titullohet “Qyteti i arteve”, përmban një fond prej 14 milionë lekësh të akorduara nga qeveria.

Ndër objektivat e programit renditen: shfaqja e vlerave të pjesëmarrësve, nxitjen e projekteve të përbashkëta studentë-pedagogë-të sapodiplomuar, ngritja e cilësisë artistike interpretuese dhe krijuese, rritja e pranisë së Akademisë së Arteve në publik, organizimi i aktiviteteve në vazhdimësi si bienale e artistëve të rinj, festivale muzikore e filmash. Në kuadër të këtij programi, rektori i kësaj akademie, Petrit Malaj deklaroi të hapur mundësinë për të bërë aplikimin e projekteve.

“Akademia e Arteve në kuadër të strategjisë së saj për pasurimin e jetës në Tiranë si dhe rritjen e profesionalitetit të studentëve dhe profesorëve, ne jemi të hapur për projekte”, është shprehur Petrit Malaj, rektor i Akademisë së Arteve.

Zyra e koordinimit të projekteve, e ngritur enkas për programin “Qyteti i arteve”, do të shqyrtojë paraprakisht nëse aplikimet do të përmbushin kriteret.

Më pas dosjet do t’i kalojnë Bordit të Projekteve Artistike të Akademisë. Për më shumë informacion mbi programin dhe aplikimet Akademia e Arteve ka vënë në dispozicion faqen e saj të internetit.

Top Channel