“Përrallat e Hofmanit”

22/09/2010 20:10

Me vokalin e sopranos së suksesshme në nivel ndërkombëtar Inva Mula, TKOB do të çelë sezonin e ri artistik.

E ftuar nga ky institucion, ku mungon prej 20 vitesh dhe Ministria e Kulturës, ajo do të interpretojë tre role në premierën e operës “Përrallat e Hofmanit”, të kompozitorit francez Zhak Ofenbah.

Vepra vendoset në skenë nëpërmjet bashkëpunimit të artistëve shqiptarë dhe francezë. Regjisor është Stephane Roche, dirigjent Andre Bernard, solistë perveç Mulës janë mes të tjerësh Luca Lombardo, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri.

Në konferencën për shtyp të mbajtur për premierën, ku ishin të pranishëm përpos artistëve edhe ministri i Kulturës Xhaferaj dhe drejtori TKOB, Zhani Ciko, Znj. Mula me modesti ndau me kolegët e saj rëndësinë e realizimit të operës.

Për sa i përket angazhimit në tre rolet që interpreton tek “Përrallat e Hofmanit”, ajo e konsideroi si një sfidë ndaj vetes.

“Këtë rol e kam zgjedhur sepse nuk do doja të vija kurrë më një rol që e kam dëgjuar në dhjetra teatro të botës. Kam dashur të provoj vetveten dhe do të kryej tre role me zëra të ndryshme. Në këtë momënt në karrierën time mund këndoj në tre role, por këtë do e vlerësoj vetë publiku”, është shprehur Mula.

Inva Mula do të intepretojë tek “Përrallat e Hofmanit” në datat 1 dhe 3 tetor, por opera do të shfaqet edhe në data 5 dhe 7 të po këtij muaji, ku do të ketë protagonistë të tjerë, kryesisht vendas.

Për realizimin e saj marrin pjesë 20 solistë, 50 koristë dhe 60 instrumentistë të orkestrës.

Top Channel