Fëmijët e Sakineh, apel opinionit botëror

16/09/2010 14:25

“Na ndihmoni! Ndihemi vetëm dhe vec avokatit tonë kurajoz, brenda Republikës Islamike jemi totalisht të braktisur”.

Kjo është thirrja dëshpëruese, e bërë me një letër të hapur, nga Sajjad e Sahideh Ghaderzadeh, dy fëmijët e  Sakineh Mohammadi Ashtiani,gruas iraniane që rrezikon dënimin me vdekje për tradhëti bashkëshortore.

Në letrën e hapur, fëmijët e kësaj gruaje që ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës denoncojnë kërcënimet që i kanë bërë agjentët e inteligjencës.

“Ndërsa na kanë marrë në pyetje na kanë kërcënuar duke na thënë se edhe nëse ndonjë ditë do të arrijmë të shpëtojmë nënën tonë, nuk do të gjejmë kurrë paqe. Ata po na e bëjnë jetën të padurueshme dhe na thonë se sapo të bjerë paska interesimi botëror, jeta jonë do të shkatërrohet”, thuhet në letër.

Fëmijët i drejtohen edhe nënës së tyre: “Jemi të lodhur dhe nuk e durojmë dot mungesën tënde. Mezi presim që të të përqafojmë dhe të ndjejmë erën tënde. Vetëm kështu mund të gjejmë paqe dhe qetësi. E gjithë kjo na ka bërë që të vuajmë shumë. Po nënë! Kemi qarë aq shumë sa nuk kemi më fuqi që të derdhim lot. Jemi të shkatërruar për dhimbjen tënde dhe tani kemi nevojë të jetojmë dhe të qëndrojmë bashkë”.

Sajjad e Sahideh e përfundojnë letrën e tyre të trishtueshme duke hedhur edhe një herë apelin për mbarë botën: “Jeni shpresa jonë e vetme. Presionet tuaja janë shumë të vlefshme dhe ne ju lutemi që të vazhdoni ta bëni. Mos na braktisni! Mos na lini vetëm! Ju lutemi!”

Top Channel