Prane ambjenteve të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit është inauguruar hapja e kinemasë se këtij institucioni, e cila do të shfaqë për publikun, pa pagesë, filma shqiptarë dhe të huaj.

Filmat nuk do të jenë prodhimet më të fundit, por ata të arkivës të mbledhur ndër vite. Ata do të shfaqen çdo të mërkurë në oren 12.00, ndërsa të mërkurën e fundit të çdo muaji, në orën 19.00.

Nëse prodhimet do të jenë me metrazh të shkurtër, atëherë do të shfaqen dy të tillë. Përpos filmave të parashikuara në program, AQSHF ofron edhe mundësine e prenotimit të një filmi, nëse kërkohet nga një grup prej më shumë se 10 personash.

Për realizimin e projektit ndihmuan Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, qeveria spanjolle, PNUD dhe UNESCO.

“Më në fund ka një sallë kinemaje për të përdorur gjithë atë fond të madh që ne kemi”, tha drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti, e cila më pas ka falenderuar Ministrinë e Kulturës dhe Ambasadorin e Spanjës, që mundësuan këtë kinema.

“Mendoj që kjo kinema është pjesa e parë e një investimi që qeveria ka bërë për këtë institucion tejet të rëndësishëm për ruajtje dhe promovimin e trashëgimisë tonë kulturore në fushën e kinematografisë. Vitin tjetër ne do ndërhyjmë për të mundësuar restaurimin e plotë të godinës”, deklaroi ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri.

Pas ceremonisë së hapjes u shfaq filmi shqiptaro-serb, “Muaj Mjalti”.

Top Channel