Bilanci i Festivalit të Venecias

11/09/2010 21:15

Më pak yje, vështirësi logjistike, shumë dhunë në filma, por edhe një numër i lartë biletash të shitura.

Është ky bilanci në ditën e fundit të edicionit të 67 të Venecias, i bërë publik nga gazeta “La Repubblica”, sipas të dhënave të bëra të ditura nga vetë zyrat e festivalit.

Në këto momente po zhvillohet ceremonia e dhënies së çmimeve, ku janë në garë për Luanin e Arte 23 filma.

“Një edicion më eksperimental se të tjerët”, siç e ka quajtur drejtori i Festivalit Marco Muller.

Tapeti i kuq këtë vit është shkelur nga aktorë, që sipas termave gazetareskë “përbëjnë më pak lajm”, se në vitet e kaluara.

Për sa i përket anës logjistike, këtë shtator hapësirat në dispozicion të Festivalit kanë qenë më të limituara.

Pikat e shitjeve janë mbyllur më herët, ndërsa çmimet e restoranteve dhe të taksive: shumë të shtrenjta.

Përmbajtja e filmave në garë, ka rezultuar e mbushur me skena të dhunshme sidomos ndaj trupave femërorë: përdhunime, skllavëri seksuale, prostitucion, gjak dhe sulme ndaj kufomave.

Sipas kritikëve, ka patur edhe keqardhje për disa filma që nuk janë pjesë e konkursit, që në fakt do t’a kishin merituar garimin.

Gjithsesi, shifrat në shitjen e biletave flasin për rritje prej 17%, ndërkohë që ka patur një boom shitjesh në internet me 76% më shumë.

Është rritur edhe numri i gazetarëve të akredituar me 4% më tepër.

Megjithatë, këtë vit festivalit i kanë munguar shkëlqimi i personazheve të famshëm dhe eventeve të mëdha.

Top Channel