“Shuhet” Normalja e Elbasanit. Simboli shekullor i mësuesisë shqiptare do të shndërrohet në një gjimnaz pothuajse të zakonshëm, ndërkohë që do të shërbejë për praktikën studentore të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të qytetit të Elbasanit.
Vendimi për shndërrimin e shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi” të Elbasanit është marrë pak ditë më parë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe ka hyrë në fuqi menjëherë.
Normalja e Elbasanit, themelet e së cilës u vendosën më 1 dhjetor të vitit 1909, për vetë kontributin e saj në bazat moderne të arsimit shqiptar do të quhej me të drejtë “djepi” i arsimit kombëtar.
Për më tepër se një shekull jete, ajo ka përhapur misionarët e mësimit të shqipes në Shqipëri e në të gjitha trojet ballkanike që flitej shqip.
Me mijëra e mijëra mësues janë diplomuar nga kjo shkollë, e vetmja në llojin e saj.
Në fillim dhjetorin e vitit të kaluar, kur në Pedagogjiken e Elbasanit u kremtua me madhështi 100-vjetori i çeljes së Normales, askush nuk e kish besuar se vetëm nëntë muaj më pas shkolla në fjalë “do ta vuloste” përfundimisht misionin e saj historik.
Me anë të një vendimi ministror, tashmë ajo do të quhet thjesht një gjimnaz dhe aty do të zhvillohen praktikat pedagogjike të studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu”.
Dy ditë më parë, në dyert e saj janë ulur gjimnazistë. Ndërkohë që drejtoresha e këtij institucioni arsimor, Dhurata Valera, ka deklaruar se për vitin e parë janë regjistruar gjimnazistë dhe priten udhëzime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të vepruar.
Top Channel