Venecia, duartrokitje për “Somewhere”

03/09/2010 21:25

Duartrokitje të gjata pas prezantimit të filmit “Somewhere” të regjisores Sofia Coppola, në ditën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Venezias, që këtë vit është në edicionin e tij të 67-të.

Filmi i Coppola-s, vajzës së regjisorit Francis Ford Coppola, përmban një sërë elementësh autobiografik.

Influenca e të qenit nënë; kujtimet e periudhës së jetesës me të atin, si hyrja në botën e showbizit, qëndrimet e gjata në hotele, lojërat në kazinotë e Las Vegasit, apo marrja e çmimeve Telegatto, në Itali, janë elemente të përdoruara në film.

“Somewhere” rrëfen historinë e një divi të Hollywood-it, interpretuar nga Stephen Dorff, në krizë me ekzistencën e tij.

Ai jeton në një hotel. Jeta e tij ndryshon kur ritakohet me të bijën 11 vjeçare, interpretuar nga Elle Fanning.

Një mori ngjarjesh dhe udhëtimesh, që i çojnë nga Los Angeles, në Las Vegas, deri në Milano, ceremoninë e Telegatti, skenë ku figura të njohura italiane si Simona Ventura dhe Valeria Marini, interpretojnë vetveten.

Filmi “Somwhere” është në konkurs për Luanin e Artë, së bashku me 22 filma të tjerë me metrazh të gjatë.

Kryetari i jurisë është Quentin Tarantino, i cili është edhe ish i fejuari i Sophia Coppola-s.

27 filma të tjerë janë jashtë konkursit. Festivali do të zgjasë deri me 11 shtator.

Top Channel