Sarandë, debatet e pronave në fshatin e minoritarëve

18/08/2010 09:25

“Nuk kemi pasur asnjëherë agallarë, ndërsa tani njerëz me dokumente false nga Gjirokastra e Delvina, kërkojnë të na rrëmbejnë livadhet”.

Kështu kanë deklaruar banorët e fshatit Kostar, të Komunës së Mesopotamit në Sarandë, e banuar nga minoritarë, të cilët dy ditë më parë kanë organizuar një takim me krerët e komunës. Banorëve të kësaj zone, kohët e fundit u duhet të përballojnë pretendimet e ish-pronarëve gjirokastritë e delvinjotë, që kërkojnë të rimarrin pronat e tyre.

Ndërkaq, kryeplaku i fshatit, Jorgo Zhuli, i kontaktuar nga “Shqip” ka deklaruar se banorët e fshatit Kostar kanë nisur të ndihen të pasigurt për pronësinë e tokave të tyre.
Kjo ka ardhur pas faktit që dy kodrat në afërsi të këtij fshati, u janë kthyer ish-pronarëve të dikurshëm, ndërkohë që sipas tij po vihen në rrezik edhe fusha që shtrihet midisi dy kodrave tyre, që ata thonë se e kanë pronë të tyre me tapi.

“Ca gjoja agallarë, duan të vijnë nga fundi i fshatit deri te shtëpitë e fshatit”, shprehet Jorgo Zhuli, kryetar i fshatit Kostar. Ndërsa Vasil Zhuli e Ilia Thano, që kryesojnë shoqatën që ky fshat ka në Athinë, sqarojnë se banorët e fshatit janë pajisur me tapi për tokat e tyre, madje kanë gjetur dokumente nga arkivi i shtetit shqiptar, që tregojnë se fshati i tyre nuk ka pasur pronarë, ndryshe nga fshatrat e tjerë.

Sipas tyre, ata që i pretendojnë pronat e tyre, e që janë nga Gjirokastra dhe Delvina, nuk mund të jenë zotër të tokave ku ata jetojnë prej vitesh. Fshatarët kërkojnë ndihmë nga shteti, pasi dokumentet ku përcaktohen kufijtë e fshatit, megjithëse ekzistojnë, nuk ua vë njeri në dispozicion. Kjo është pohuar edhe nga kryetari i komunës, Themistokli Kaishi, i cili ka deklaruar se ndonëse ka kërkuar disa herë të gjejë dokumente ku shprehen qartë kufijtë e fshatit, askush nuk ua ka mundësuar një gjë të tillë.   

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA