Katalonjë, ndalohet ndeshja me dema

28/07/2010 16:45

Parlamenti katalanas miratoi heqjen e korridës, duke e bërë kështu Katalonjën rajonin e dytë në Spanjë pas ishujve Kanarie që ndalon ndeshjet e famshme të demave.

Ndalimi hyn në fuqi duke filluar nga viti 2010. Grupet për të drejtat e kafshëve e përshendetën vendimin që ka dëshpëruar nga ana tjetër adhuruesit e kësaj tradite të vjetër. Ndeshja me dema, ose ndryshe “sporti i gjakut” është një spektakël shumë i përhapur në Spanjë, Portugali, disa qytete në jug të Francës dhe në pjesën më të madhe të amerikës Latine.

Në Spanjë, ndeshja me dema ka filluar në vitin 1726 dhe njihet me emrin Corrida de Toros. Në një ndeshje tradicionale, 3 toreadorë ndeshen me 2 deri në 6 dema, mosha e të cilëve nuk duhet të kalojë 4 vjetët. Sezoni i këtij spektakli fillon në mars dhe mbaron në tetor. Pothuaj të gjithë toreadorët janë plagosur nga brirët e demave. Belmonte një nga toreadorët më të famshëm të viteve ’20 është plagosur më shumë se 50 herë nga demat.

Në Spanjë janë të regjistruar 1700 toreadorë, 125 janë profesionistë, ndërkohë që 42 kanë mbetur të vdekur në arenë, prej plagëve të marra nga goditjet e brirëve të demave. Sipas një sondazhi të Gallup International, 68.8% e spanjollëve nuk shfaqin asnjë interes për këtë spektakël dhe vetëm 10.4% janë të interesuar për këtë lloj sporti. Ndeshja me dema financohet me fonde publike, te cilat në vitin 2007 kapën shifrën e 500 mln eurove dhe 1 vit më pas u rritën me 100 mln euro.

Top Channel