Kosovarët e Shqipërisë

26/07/2010 18:50

Kush ka lexuar “Lumin e vdekur” të Jakov Xoxës, patjetër që do t’i vijë ndërmend historia e vecantë e një komuniteti shqipfolës, të shpërngulur me kilometra të tërë nga trojet e tyre për në tokat e Myzeqesë dhe padyshim vështirësitë që ata hasnin në integrimin me popullsinë vendase.

Ky komunitet sot jeton akoma këtu dhe duket se vështirësitë i ka hedhur pas me kohën duke mos ndarë më dallime me popullsinë vendase. Haki Trakalaci është banor i fshatit Pojan. Ai ka një jetë që jeton në këto troje. E vecanta që e dallon nga pjesa tjetër e komunitetit që popullon zonën, lidhet me faktin se ai është biri i një shqiptari të Kosovës, të ardhur këtu në fillim të vitet ‘30 të shekullit të kaluar.

Fisi Trakalaci është vetëm një nga fiset e shumta që popullojnë Myzeqenë. Ata erdhën këtu shumë vite më parë të pakët në numër, por sot kanë një lagje të tyren. Njerëz të punës, të gjindshëm me komunitetin që i rrethon, jetesa për kosovarët e Myzeqesë nuk ka qenë fort e lehtë. Për shumë e shumë vite me radhë, ata nuk patën mundësi të takonin të afërmit e tyre, përtej trojeve.

E vetmja herë kur familja Trakalaci pati mundësi të takonte një nga të afërmit e saj të mbetur në Kosovë, ishte viti 1972. U desh të vinin zhvillimet demokratike në vend që familja Trakalaci por edhe shumë të tjera të ndara prej mëse 50 vitesh nga trungu familjar, të takoheshin sërish me njëri-tjetrin. Vitet kishin bërë të tyre.

Shumë të afërm nuk jetonin, por bërthama familjare ishte aty në trojet e të parëve. Komuniteti kosovar në Shqipëri gëzon një shtrirje të gjerë. Krahas Pojanit në rrethin e Fierit, atë mund ta gjesh edhe në qytete si Durrësi, Kavaja apo edhe Lushnja.  Në disa ara buzë Semanit, dikur shtrihej fshati Kujtim. Veli Genica, apo Bacë Veli, na shoqëron në tokën ku të parët e tij u zhvendosën pothuaj 80 vite më parë.

Bacë Veli dhe familja e tij e madhe në numër, ashtu sikundër edhe bashkëpatriotët e tij nga Kosova kanë jetuar në këto ara deri në fillim të viteve 90’. Ata jetojnë sot në fshatin Dërmenas ku edhe kanë krijuar habitatin e tyre të ri. Dërmenasi ndodhet 15 kilometra në dalje të qytetit të Fierit dhe është fshati më i populluar nga komuniteti kosovar në gjithë fushën e Myzeqesë. Këtu jëtojnë afërisht rreth 100 familje kosovare.

Ndonëse kanë vite që janë shkëputur nga trualli i të parëve, ata ruajnë doket e tokës nga erdhën. Sot kosovarët e Shqipërisë kanë krijuar jetesën e tyre. Ata shkojnë e vijnë me të afërmit e tyre në trojet e tyre përtej kufijve. Por duket se kjo lidhje gjaku nuk do t’i mbijetojë dot largësisë.

“Me sa shikoj sa vjen dhe gjerat po ftohen. Ne te vjetrit mundohemi te mbajme lidhjet por te rinjte e kane te veshtire dhe kjo me dhemb shume”, shprehet Hakiu.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel